Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) fushatën zgjedhore e vazhdoi në Manastir. Kryetari i partisë Ali Ahmeti, i shoqëruar nga shefi i Shtabit Qendror Zgjedhor, Bekim Neziri dhe kandidatët për deputetë të zonës, tha se BDI do të vazhdojë të luftojë për të mirën e qytetarëve shqiptarë kudo që jetojnë anë e mbanë Maqedonisë. “Manastiras apeloni deri tek të gjithë që të jemi sa më bashkë. Ne si shqiptarë patëm këshilltarë në Komunën e Manastirit, tanimë nuk kemi, pasi ne si shqiptarë në Manastir u copëtuam në shumë tabore politike. Sa më bashkë të jemi, aq më të rëndësishëm do të bëhemi. BDI dëshiron që ju të bashkoheni. Edhe nëse me dikë keni ndonjë zemërim, duhet të falni njëri tjetrin. Duhet të hapërojmë guximshëm, duke u afruar me njëri-tjetrin. Nuk ka betejë që nuk fitohet, ne jemi të interesuar që këtu të realizojmë qëllime edhe më të larta. Ne jemi avangardë, ne cep më cep do të bëjmë përpjekje për ju, mirëpo u apelojë që të qëndroni sa më afër njëri tjetrit, me qëllim që të jeni sa më të fuqishëm në vendimmarrje në nivelin komunal”, deklaroi kryetari i BDI-s dhe bartësi i listës zgjedhore në Njësinë zgjedhore numër 6, Ali Ahmeti. Ai gjithashtu tha se zgjedhjet e 11 dhjetorit janë shumë të rëndësishme për BDI-në, por edhe për të gjithë shqiptarët. Ahmeti porositi banorët e Manastirit që të jenë syçelë dhe mos të kontribuojnë në fuqi-ngritjen e qarqeve të dyshimta antishqiptare. “Ky mandat u përgjysmua, por edhe pse ndodhi kështu, ne si BDI mjaft kemi arritur. Unë jam krenar që brenda këtij mandati u hapën mbi dy mijë vende të punës, jemi në përkrahje të të gjithë investitorëve të huaj, pasi vetëm me vende të reja të punës ne mund të zbusim mirëqenien sociale të shqiptarëve por edhe gjithë të tjerëve në vend”, u shpreh Ahmeti. Shefi i Shtabit Qendror Zgjedhor, Bekim Neziri përkujtoi banorët e Manastirit se njësia zgjedhore numër 5, ku bën pjesë edhe Manastiri është me rëndësi të veçantë për BDI-në. Neziri gjithashtu tha se të jesh shqiptar në Tetovë, Gostivar, pse jo edhe në Shkup, në Çair është e lehtë, por të jesh shqiptar në Manastir, të ruash gjuhën e të parëve është shumë vështirë dhe për këtë BDI është mirënjohëse.