Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i shoqëruar nga shefi i Shtabit qendror të zgjedhjeve, Fatmir Besimi, ka qëndruar pasditën e djeshme në komunën e Gostivarit me ç’rast nga strukturat vendore është njoftuar për mbarëvajtjen e fushatës për zgjedhjet lokale të së dielës. Në tubimin e mbajtur në fshatin Sërmnovë kryetari Ahmeti uroi që zgjedhjet të jenë të lira, të ndershme e demokratike.
Ahmeti theksoi se arritjet e 16 viteve të fundit janë rezultat pikërisht i mundit dhe djersës së Bashkimit Demokratik për Integrim. Kjo për shkak se, tha ai, na bën të parëndësishëm nëpër tryezat politike e diplomatike ” Nuk bëhet eksperiment me procese historike, me procese shoqëroro-politike”, tërhoqi vërejtjen kryetari i BDI-së Ali Ahmeti. Sa i përket fushatës së deritanishme parazgjedhore dhe shpalosjes së ofertave para qytetarëve, Ahmeti u angazhua që ato të jenë reale dhe të realizueshme.
Premtimet, vazhdoi ai, duhet të jenë të kapshme, me përgjegjësi e dinjitet e jo në stilin ‘hënën do e zbresë në tokë, dimrin do e bëj verë e verën – dimër!’: ‘ Unë nuk them që janë bërë të gjitha, ka edhe shumë punë për të bërë, por njeriu ka përgjegjësi dhe duhet të ketë dinjitet. Kjo është e shkruar dhe Bejta përgjigjet për këtë pas katër vitesh. Përgjigjem dhe unë dhe unë qëndroj pas kësaj!’, potencoi kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim.
Ndërkaq, kandidati për kryetar të komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta, duke vlerësuar se mandatin e kaluar në qytet e rrethinë janë investuar rreth 40 milion euro, u zotua se projektet e përcaktuara për katër vitet e ardhshme, nën drejtimin e tij, do të realizohen e tejkalohen. Duke përmendur shkollën fillore të fshatit Sërmnovë, si premtim të realizuar, ai u zotua se puna e parë që do të bëj menjëherë pas zgjedhjeve ka për të qenë rregullimi, zgjerimi dhe asfaltimi edhe i rrugëve që lidhin fshatrat e malësisë së kësaj zone, ndërkohë që nuk do të mungojnë as investimet në fusha të tjera për ta çuar përpara këtë komunë, e për ta bërë model të përparimit. “Ne kemi dije, kemi guxim, kemi potencial, që atë që themi edhe ta bëjmë”, përfundoi Bejta i bindur se të dielën në mbrëmje do të jetë Bashkimi Demokratik për Integrim ajo forcë që do t’i gëzohet fitores.