Shkup, 19 mars – Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka komentuar sot kundërshtitë në radhët e partisë në lidhje me të ardhmen e Sekretariatit për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit (SIMO). Ai ka deklaruar sot se mendimi ndryshe asnjëherë nuk e ka dobësuar BDI-në, Sipas Ahmetit, mendimi ndryshe e ka forcuar, ndërsa nuk i mohohet askujt e drejta që të shfaq një mendim ndryshe.
“E tërë situata ka rrjedhë në rrugë të natyrshme, duke u vendosur në organet më të larta të partisë, duke hyrë edhe në program të BDI-së dhe e njëjta është arsyetuar, është përpunuar edhe me partitë tjera politike dhe është bërë si pjesë e tërësisë së përfaqësimit politik të shqiptarëve…Këtu nuk ka as tradhëti, por nuk ka as herezi, që të ndiqet dikush për mendim të kundërt”, ka deklaruar Ahmeti.
Kreu i BDI-së ka theksuar se Sekretariati nuk ka pasur kompetencën e propozimit dhe hartimit të ligjeve, ndërsa ministria që propozohet e ka këtë të drejtë. Shndërrimin e Sekretariatit në ministri e ka kundështuar drejtuesi aktual i këtij institucioni, Hazbi Lika.