Strugë, 15 nëntor – Kryetari i degës së BDI-së të Strugës, Ramiz Merko në tubimin partiak në këtë qytet, ku ishte i pranishëm edhe lideri Ali Ahmeti, sonte e ka prezantuar listën e Njësisë zgjedhore 5. Merko në fjalimin e tij theksoi se Struga është nderuar pikërisht me Llabunishtin me në krye bartësin e listës nga BDI, Agim Shaqirin. “Përshëndes shefin e shtabit qendror zgjedhor Bekim Neziri dhe ai që Strugën e bëri një, e bashkoi dhe gëzojmë privilegjin e këtillë, pra kryetarin Ali Ahmeti. Gjithë urdhrat që janë dhënë nga ana e Shtabit qendror zgjedhor janë implementuar nga shtabet komunale të Strugës, jemi të gatshëm për zgjedhjet dhe për fitoren e radhës të BDI-së”, ka thënë Merko. Ndërkohë, kandidatja për deputete në njësinë zgjedhore 5 nga BDI, Arjeta Veliu si bijë e dëshmorit, tha se janë të nderuar që si familje e dëshmorëve të pranojnë propozimin e Ali Ahmetit për këtë kandidaturë. “BDI buron nga UÇK-ja dhe LPK-ja, ishte BDI dhe Ali Ahmeti që u angazhuan për avancimin e femrës shqiptare. Kam nderin që të përfaqësoj gruan, nënën e këtyre trevave. BDI është parti reformiste që flet për avancimin e femrës shqiptare. BDI hapi dyert për femrën shqiptare. Ftoj të gjithë që t’i besojnë BDI-së dhe Ali Ahmetit dhe bashkë në fitoren e radhës nga Struga e deri në Kumanovë”, ka thënë Veliu në tubimin në Strugë. Bartësi i listës në Njësinë zgjedhore 5, Agim Shaqiri në tubimin e BDI-së në Strugë tha se përsëri do dalin fitimtar nga zgjedhjet që pasojnë. “Strukturat tona në këtë drejtim gjithmonë kanë qenë të bashkuar e unifikuar. BDI ka ngritur kurajën kombëtare në Llabunishtë dhe më gjerë. Ky popull asnjëherë nuk ka ndjerë ndryshimet si tani që janë në arsim kur është fjala për Llabunishtin. Këto zgjedhje do jenë uverturë për aspiratat tona më të mëdha për zgjedhjet lokale”, ka thënë Shaqiri. Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti në tubimin në Strugë ka sqaruar atë se pse nga viti 2002 e këtë subjekt e bën të fort dhe të jenë fitimtar. “E para është që kemi punuar me zemër, s’kemi humbur kurrë besimin tek qëllimi, por arsye mbi arsye, sepse në BDI aderojnë misionarë, idealistë që jo shumë kush i sheh ata. Ata nuk njohin vështirësi, mposhtje… Na dalin iniciativa të vogla, lëvizje apo qytetare. Unë i përcjell çka flasin, çka premtojnë, asgjë, asgjë vetëm shajnë Ali Ahmetin. Më tregoni se ku kam gabuar? Mos gabova që kam hapur universitet shqiptar, zyrtarizova flamurin shqiptar… Duke rrënuar dikë, nuk mund të ngritesh, por trego se çfarë kuadro e njerëz ke për t’u përballur me BDI-në”, ka thënë Ahmeti në tubimin në Strugë.