Ohër, 18 mars – Unë angazhohem për përparim dhe sot le të arrihet kjo, deklaroi lideri i BDI-së, Ali Ahmeti pas takimit në Ohër me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ndërsa ka siguruar se në hotelin ku po zhvillohen bisedimet, do të qëndrojë deri në fund.
Në pyetjen e gazetarëve nëse beson se do të përfundojë procesi i dialogut me njohje të ndërsjellë midis Kosovës dhe Serbisë, Ahmeti tha se kjo varet nga dy delegacionet, por beson se do të arrihet marrëveshje ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
“Mendoj se si proces final, Kosova duhet të ecë përpara drejt njohjes ndërkombëtare si shtet dhe avancimit dhe pranimit të saj në të gjitha institucionet ndërkombëtare dhe të vazhdojë rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe NATO”, ka thënë Ahmeti, ndërsa shoqërohet nga ministri i Jashtëm, Bujar Osmani.
Ahmeti në Ohër po qëndron nga orët e hershme të mëngjesit, ndërsa është takuar me ndërmjetësit Lajçak dhe Borell, kryeministrin e Maqedonisë, Kovaçevski, ndërsa flitet se do të takohet edhe me të dërguarin amerikan, Gabriel Eskobar.