Tiranë, 11 shtator – A duam paqe, a duam marrëdhënie të mira ndërfqinjësore? A duam stabilitet? Referendumi i 30 shtatorit është vula që i jep vlera paqes, stabilitetit dhe mbyllet një kapitull tash e 25 vjet. Është referendum për NATO. Kështu është shprehur lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti në emisionin Opinion në TV Klan të Tiranës, ndërsa ka theksuar se shqiptarët janë në vendin e vet, në shtetin e tyre… dhe kjo ka rëndësi të veçantë për të ardhmen edhe të shqiptarëve. “Dhe, pa dyshim se shqiptarët votojnë për anëtarësim në NATO dhe BE dhe shqiptarët votojnë për arritjen e synimeve të tyre për një të ardhme më të sigurt dhe më të mirë”, ka thënë Ahmeti, transmeton gazeta KOHA. Sipas Ahmetit, BDI i ka bërë me dije edhe palës maqedonase, por edhe palës greke se cilët emra të shtetit janë të pranueshëm për shqiptarët. “Jam takuar me shumë zyrtarë grek, më ato ndërkombëtarë dhe u kemi bërë me dije edhe palës maqedonase se cilët emra nuk janë të pranueshëm, apo cilët janë të pranueshëm për shqiptarët. Është me rëndësi se shqiptarët gjithmonë kanë qenë për debllokim të kontestit”, ka thënë Ahmeti. Lideri i BDI-së gjithashtu ka thënë se marrëveshjet e mëdha gjithmonë bëhen me kompromise, por me ndihmën e miqve ndërkombëtarë, kontestit po i vie fundit. “Përserisa jetojmë në një shtet, ne duhet të kujdesemi për historinë dhe identitetin e njëri-tjetrin. Unë nuk jam për revanshizëm. Ne duhet të japim porosi se ne nuk duam të sundojmë, apo të jemi arbitrazh në probleme tjera. Bëjnë gabime ata që deklarojnë se nëse shqiptarët kyçen në zgjidhjen e emrit, sepse këto deklarime nuk janë në shërbim të së mirës. Tani është koha për anëtarësim në NATO dhe fillim të bisedimeve me BE-në”, tha Ahmeti. Identiteti i bashkëqytetarëve tanë maqedonas dhe vet Maqedonia, ka shtuar Ahmeti, e kanë vështirë të mbijetojnë jashtë NATO-s dhe BE-së. Ahmeti është shprehur i bindur se shqiptarët do votojnë pro referendumit, ndërsa kjo, tha ai, nuk do të ndikojë negativisht tek pjesa nacionaliste e maqedonasve. “Edhe maqedonasit tashmë janë lodhur me bllokimin e integrimeve të vendit, kështu që atmosfera në përgjithësi është pozitive”, tha Ahmeti. Tani, tha lideri i BDI-së, është koha që të mbyllet problemi dhe në këtë drejtim janë aktivizuar edhe personalitetet më të rëndësishme të Bashkimit Evropian. “Shqiptarët janë të vetmit që nuk u kontestojmë asgjë dhe me shqiptarët, maqedonasit duhet ta dinë se janë më të fortë dhe më të sigurtë”, ka thënë Ahmeti në emisionin Opinion në TV Klan. Sipas tij, nuk është në interes të shqiptarëve të Maqedonisë që të vazhdojnë problemet apo të ndahet shteti, pasi shqiptarët e Maqedonisë nuk kanë vendlindje tjetër pos Maqedonisë. (koha.mk)