Deklarata e partive shqiptare në asnjë mënyrë apo formë nuk cenon shtetin, karakterin unitar e as që bën fjalë për federalizim apo ndarje. Kështu shkruan lideri i BDI-së, Ali Ahmeti pas refuzimit të presidentit Ivanov për ti dhënë mandatit liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, si dhe akuzave drejtuar gjuhës shqipe dhe Tiranës zyrtare. Gazeta KOHA ju sjell në tërësi postimin e Ahmetit në profilin e tij në Facebook:
“Të nderuar qytetar,
Qysh para zgjedhjeve të vitit të kaluar, ftova partitë opozitare shqiptare që të bashkohen në mënyrë që mos të humbasin shqiptarët nga përçarja e madhe e votave. Kjo nuk ndodhi dhe shqiptarët humbën 9 mandate deputetësh në Kuvendin e Maqedonisë. Më pas, si fitues i zgjedhjeve dhe drejtues i partisë më të madhe shqiptare, kam ftuar partitë parlamentare shqiptare në takim të përbashkët në Shkup për të bashkërenduar agjendën tonë për rrumbullakësim të Marrëveshjes së Ohrit dhe arritjen e barazisë.
Në këtë takim në Shkup, harmonizuam qëndrimet rreth pritshmëritë e shqiptarëve dhe e këtë e kam thënë në cdo prononcim timin publik që Deklarata e përbashkët e partive parlamentare shqiptare të Maqedonisë është dakorduar dhe shkruar në Shkup dhe për bazë ka programet zgjedhore të të gjithë garuesve shqiptar në zgjedhjet e 11 dhjetorit. Partitë shqiptare nuk ishin shkas për krizën sistemore në vend dhe duke patur këtë parasysh, ftoj partitë politike shqiptare që të përmbahen nga të shndërruarit të krizës sistemore dhe brendaetnike në një përplasje ndëretnike midis dy komuniteteve shumicë të këtij vendi.
Gjithashtu, ftoj partitë politike maqedonase që të përmbahen në shprehjen e pakënaqësisë së tyre nga implikimi i elementit ndëretnik për arsye të ndjeshmërisë së shoqërisë sonë.
Juve të nderuar qytetar, ju ftoj që të ruani gjakftohtësinë dhe mos të lejojmë që asnjëri nga ne të bie pre e skenareve dashakeqe që kanë origjinë adresa të dyshimta për ne.
Ky është një problem politik dhe partitë politike si dhe institucionet e vendit do të gjejnë zgjidhjen më të mirë për qytetarët, por në ndërmjet kohë, ta besojmë bashkërisht të vërtetën e jo trillimin”. (koha.mk)