Shkup, 24 dhjetor – Dallimet janë shumë më të vogla sesa çështjet e mëdha që na bashkojnë që ne si shqiptar të dalim me një zë për çështjet që kanë të bëjnë me të gjithë shqiptarët e Republikës së Maqedonisë, pa dallim se i cilës parti është. Gjërat që kanë të bëjnë me shqiptarët janë shumë të përbashkëta. Kështu ka thënë lideri i BDI-së, Ali Ahmeti pas takimit të sotëm me krerët e koalicionit “Aleanca për Shqiptarët” – Ziadin Sela, Gëzim Ostreni dhe Vesel Memedi. “Duke e patur vullnetin e mirë të shumicës së partive politike shqiptare për të bërë një takim i përbashkët mes forcave politike këtu në Maqedoni ne arritëm që këtë takim ta realizojmë. Dallimet janë shumë më të vogla sesa çështjet e mëdha që na bashkojnë që ne si shqiptar të dalim me një zë për çështjet që kanë të bëjnë me të gjithë shqiptarët e Republikës së Maqedonisë, pa dallim se i cilës parti është. Gjërat që kanë të bëjnë me shqiptarët janë shumë të përbashkëta”, është shprehur Ahmeti, ndërsa ka siguruar se takime të këtilla do mbahen edhe pas Vitit të Ri. “Java që pason dhe më pas, ne sërish do të takohemi për të parë dhe për të bërë një analizë mbi zhvillimet në vend dhe do t’i harmonizojmë të gjitha qëndrimet si parti politike gjithmonë duke patur për bazë platformat dhe doktrinat tona.”, tha Ahmeti. Në ndërkohë, në takimin e sotëm të liderëve munguan PDSH dhe Lëvizja Besa.