Shkup, 22 tetor – Lideri i BDI-së Ali Ahmeti gjatë debatit në emisionin “ Argument” u ndal edhe tek opozita shqiptare duke i bërë thirrje që në zgjedhjet e 12 prillit të bashkohet që të parandaloj djegien e mandateve te shqiptarët.
“Kam bërë përpjekje për t’i ulë në një tavolinë por më kanë zhgënjyer, më kanë dëshpëruar. Qëndrimi ynë është i qartë. Unë mendoj por e kam thënë edhe me zemër, le të bashkohen partitë shqiptare përball BDI-së, le të bëhet opozitë e fortë dhe le ta fitojë BDI-në. Do fitojnë shqiptarët kur opozita do të jetë një parti. BDI nuk do të krijoj satelit, ata që janë me VMRO –në dhe LSDM-në janë satelit. BDI a ka pas mundësi të krijoj satelitë, po ka pas, të merr prej partive tjera, po .Sot kam mundësi të bëj rrëmujë, çka fitoj, asgjë veç bëjmë rrëmujë. Mirë është opozita le të bashkohet. Në zgjedhjet e fundit humbën 10 mandate, nuk humbi BDI por humbën shqiptarët”, ka deklaruar lideri i BDI-së Ali Ahmeti.
“Anëtarësimi në BE është proces, NATO është domosdoshmëri”, kështu deklaroi lideri i BDI-së Ali Ahmeti në emisioni “Argument” në RTVM duke folur pas mos marrjes së datës për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.
“BE është proces, NATO është domosdoshmëri sepse ky vend është në udhëkryq. Ne duheshe të sigurohemi që ky udhëkryq të mos jetë arsye për përplasje. Evitimi i rrezikut nga përplasja bëheshe përmes anëtarësimit në NATO. Besoj ju kujtohen deklaratat kërcënuese nga Kremlini për anëtarësimin në NATO. Ne e kemi parë si domosdoshmëri anëtarësimin në NATO dhe evitimin e rrezikut “, deklaroi Ahmeti.
Ai tha se pas kësaj ne nuk duhet të dëshpërohemi por të vazhdojmë edhe më fuqishëm me reformat në të gjitha sferat. “Me rendësi është që ne të vazhdojmë me guxim me reformat. Ne nuk duhet të dëshpërohemi, duhet të vazhdojmë me reformat në gjyqësi, sundimin e ligjit dhe vetingu në shumë segmente, ekzekutiv, kryetar komunash etj…”, tha mes tjerash Ahmeti.
Kosova është vija e kuqe për Shqipërinë në raportet e Ballkanit Perëndimor, sipas ministrit në detyrë të Jashtëm të Shqipërisë, Gent Cakaj. Duke folur për mini-Schengenin Ballkanik, Cakaj ka thënë se parim i Shqipërisë është që në asnjë rrethanë të mos merren vendime për lehtësira pa përfshirjen e Kosovës.
“Sa di unë, ishte iniciativë për të cilën ishin të informuar të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor (mini-schengeni). Parim është që në asnjë rrethanë të mos ketë marrje të masave apo detyrimeve konkrete në raport me lehtësirat që po planifikohet të ndodhin. Shqipëria e ka të qartë vijën e kuqe, e ajo është Republika e Kosovës. Tirana zyrtare e sheh rajonin me sytë e Kosovës dhe flet me zërin e Kosovës, por jo në emër të saj sepse mund të ketë qëndrime të pavarura”, ka deklaruar më tej ai duke shtuar se Shqipëria flet në emër të Kosovës për ta mbrojtur Kosovën.(koha.mk)