Shkup, 6 korrik – Me rastin e 5 vjetorit të ndarjes nga jeta e Abdurrahman Alitit, në fjalimin e tij mbrëmë kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, tha se Aliti do të mbetet figura ndër figurat dhe jo vetëm që do të kujtohet por edhe do të shkruhet, gjithashtu edhe historia e re e këtij shteti do të ishte e mangët pa figurën dhe emrin e tij.
“Është nga të parët që ngriti zërin dhe alarmoi opinionin vendor dhe atë ndërkombëtar se pikërisht ndryshimi i Kushtetutës është gjenerator i krizës dhe ashtu ndodhi pasi që ndryshimi i Kushtetutës në 1974 solli krizën dhe hapi një front që kishte mundur të parandalohet po qe se dëgjohej filozofia dhe alarmi që bëri analisti i mençuri i urti, Abdurrahman Aliti”, u shpreh kryetari i BDI-së, Ahmeti.
Ahmeti para të pranishmëve tha se ai e ka njohur Alitin nga viti 2001 deri në kohën kur pushon së ekzistuari fizikisht figura e tij.
“Njeri i guximit i lartëpamësisë, ai guximshëm hyri pranë brigadës në Karadak dhe u ul me të gjithë drejtuesit të cilët i inkurajoi për të vazhduar punën deri në aktin final. Njeri i durimit, njeri që duronte aq shumë sa që për mua ishte një mësim. I urtë dhe i vendosur në veprimet dhe në përcaktimet që i kishte.
Asnjëherë nuk e pashë të hidhëruar dhe asnjëherë s’kemi qenë oponentë, por miq e bashkëpunëtorë në të gjitha fushat e veprimit nga viti 2001 e këndej,” thekson kryetari i integristëve Ahmeti.
Para të pranishmëve fjalë rasti pati e shoqja e të ndjerit, Aburrahman Aliti, Gjylimsere Aliti, ndërkaq në emër të drejtorit të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore të Kulturës së Shqiptarëve në Maqedoni, me një fjalim u paraqit Besnik Rahmeti.