Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, edhe dje ka vazhduar aktivitetet në mbështetje të kandidatëve të BDI-së për balotazhin e zgjedhjeve lokale të së dielës.
Në tubimin me strukturat partiake në Reçicë të Vogël të Tetovës dhe në Gostivar, Ahmeti, i shoqëruar nga shefi i SHQZ-së, Fatmir Besimi dhe zëvendëskryeministri Hazbi Lika ka bërë thirrje për dalje masive në zgjedhjet e së dielës me qëllim të fitores sa më bindëse të kryetares aktuale të komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
Ndërkaq, Ahmeti ka komentuar edhe koalicionin prej zori të opozitës, menjëherë pas raundit të parë, duke e cilësuar atë si veprim të gabuar.
“Partitë e reja politike, me gjenezë të vjetër, morën anën e gabuar. U rreshtuan keq!’- deklaroi kryetari Ahmeti duke sjellur në kujtesë akuzat e derivonshme, të ndërsjella, të krerëve të saj, por edhe kundër opozitës maqedonase me të cilën po bashkohen për të shpëtuar veten”, tha Ahmeti.
Bashkimi Demokratik për Integrim, shtoi ai, ka punuar që nga fillimi e deri tani për avancim të vlerave kombëtare, për krijimin e kushteve sa më të mira për të gjithë qytetarët.
“Ai që duron dhe nuk ngutet, në fund fiton, sepse populli është ai që gjykon! Na akuzuan për kriminelë, na akuzuan që bashkëpunojmë, që bashkëqeverisim me kriminelë, por çfarë do të thonë nesër kur sot janë koalicion pikërisht me ata me të cilët deri dje ishin kriminelë!’- pyeti kryetari Ahmeti duke shprehur keqardhjen për pozicionimin e gabuar të Besës dhe Aleancës. Nga ana jonë, vazhdoi ai, ne me këmbëngulje do vazhdojmë të jemi dalëzotës dhe zbatues të përcaktimeve e programeve me të cilat kemi dale e po dalim përpara qytetarëve – qoftë për zhvillim e përparim të komunave, qoftë për vënien në jetë të politikave qendrore e shtetformuese”, tha Ahmeti.
Si në Tetovë, ashtu dhe në tubimin partiak në Gostivar, në mbështetje të kandidaturës së kryetarit Nevzat Bejta, Ahmeti tha se arritjet tona nuk janë individuale, janë kolektive, janë rezultat I bashkëpunimit në nivel lokal e qendror, duke u drejtuar drejt e me urtësi e largpamësi nga Bashkimi Demokratik për Integrim që për shkak të politikës së vet të mirëstudiuar për këto 15 vite, që nga themelimi, ka triumfuar në të gjitha ciklet zgjedhore, plotë 11 herë!
I sigurt në fitoren e kandidatëve të BDI-së, të dielën, Ahmeti tha se përfundimi i suksesshëm, i qetë dhe i lirë i procesit zgjedhor të së dielës do të jetë ndihmesë edhe për autoritetet qendrore me qëllim të përshpejtimit të reformave ekonomiko-politike e sociale, veçmas për mbisundimin e shtetit të së drejtës si garanci për përafrimin e vendit me strukturat euro-atlantike.