Tetovë, 25 shtator 2017 (MIA) – Tetova është qendra e shqiptarëve dhe pikërisht prandaj është e rëndësishme fitorja në këtë qytet, theksoi sonte në Konventën promovuese në qendrën e Kulturës Ilo Anteski Smok në Tetovë kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. “Ekipi që sot qëndron pas meje është fitimtar. Këta janë njerëzit që në krye me kandidaten për kryetare komune Teuta Arifi që kanë kurajo dhe dëshirë që të drejtojnë këtë qendër të rëndësishme të shqiptarëve. Do ta kenë tërë përkrahjen e BDI-së për fitore në zgjedhjet, ndërsa më pas fillon puna dhe realizimi i programit tonë. Ne jemi ekipi që sjell ardhmëri dhe ndryshime”, tha Ahmeti. Kandidatja për kryetare të komunës së Tetovës, Teuta Arifi kujtoi atë që është punuar në katër vite, por tha se ndryshimet nuk janë të mjaftueshme dhe pikërisht për këtë lufton edhe për një mandat të dytë. “Para katër viteve gjetëm një qytet me shumë probleme, qytet i cili 20 vite kishte probleme me furnizimin normal të ujit, por, ne arritëm që ta zgjidhim. Ndërtuam ujësjellës, ndërsa për dy vitet e ardhshme parashikojmë edhe rikonstruksionin e ujësjellësit të vjetër – një proces kompleks që do të sigurojë ujë të shëndetshëm për të gjithë. Ndërtuam parqe, sollëm parkimin me zona. Por mbeten edhe akoma për të bërë. Pikërisht për këtë janë të rëndësishme këto zgjedhje që të vazhdojmë aty ku mbetëm”, deklaroi Arifi.