Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti mbrëmë ka qëndruar në anën e Strugës, me ç’rast tha se fitorja e Ramiz Merkos, do të jetë fitore e gjithë qytetarëve të kësaj komune. Në tubimin e mbajtur në Strugë u tha se përderisa oponentët lëshojnë “llafe fjalë të mëdha”, është BDI-ja ajo që i bën punët e mëdha. Asim Musa, shef i shtabit lokal, duke folur për aktivitetin e deritashëm, tha se kandidatët e BDI-së me në krye Ramiz Merko, por dhe veprimtarët e shumtë, krahas ofertës së paraqitur po evidencojnë edhe të gjitha shqetësimet dhe kërkesat e elektoratit me qëllim që ato të inkorporohen në programin e ardhshëm katërvjeçar të qeverisjes lokale:
“Tani dalëngadalë punët po i ndajmë, ne do të merremi me punë, ata të tjerët le të vazhdojnë me fjalë”, tha Musa në sallën e mbushur përplot buzë Liqenit të Strugës. Duke iu drejtuar të pranishmëve kandidati për kryetar, Ramiz Merko, i bindur se në zgjedhjet e 15 Tetorit, BDI-ja do ta rikthejë pushtetin në Komunë, u shpreh se vijnë të udhëhequr me institucionin, por për interesat e qytetarëve, të të gjitha grup-moshave, të biznesit, të arsimit, shëndetësisë, për një ambient më të mirë e më të pastër të jetesës, për zhvillimin e turizmit, për uljen e papunësisë dhe për një mirëqenie më të mirë. Gjithë kjo do të bëhet me transparencë dhe llogaridhënie.
“Ne do të qeverisim ashtu siç e do popullata, për çdo projekt do të konsultohemi me qytetarët dhe vendimet e përbashkëta do t’i realizojmë”, tha Merko. Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, tha se Bashkimi Demokratik për Integrim vazhdon të mbetet zëdhënësi dhe mbrojtësi kryesor i kauzës shqiptare në Maqedoni. “Ne me kohë parashikuam projektet, orientimet. Kur thamë që do bëhet kryetari i Parlamentit shqiptar, u tha – u bë! U thamë që tani është momenti që gjuha shqipe të jetë zyrtare dhe e barabartë në Republikën e Maqedonisë dhe që duhet mbyllur ky kapitull kaq i rëndësishëm nga Marrëveshja paqesore, u tha u bë!”, rikujtoi Ahmeti dhe më pas shtroi nevojën e forcimit të stabilitetit dhe të paqes në vend.
Ai nënvizoi se kjo mund të arrihet me çuarjen përpara të reformave dhe vendosjes së shtetit të së drejtës dhe me anëtarësimin në BE dhe në NATO. “Aderimi në këto struktura përfundimisht do të shmangte ndikimin e Rusisë në Ballkan”, tha Ahmeti, duke u angazhuar për forcimin edhe të marrëdhënieve me fqinjët.