Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti është takuar sot me Ambasadorin e Francës në Shkup Kristian Timonier. Ahmeti dhe Ambasadori Timonie, kanë diskutuar për zhvillimet politike në vend e rajon, vajtjen e reformave në Kuvend dhe Qeveri, negociatat për emrin si dhe integrimin në NATO dhe BE. “Jam i kënaqur nga mbarëvajtja e reformave sistemore në vend”, tha Ahmeti, por shtoi se ka akoma shumë punë për të bërë në drejtim të sundimit të së drejtës dhe ligjit, luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Gjithashtu, ai është i inkurajuar nga zhvillimi i negociatave në lidhje me çështjen e emrit dhe përafrimi midis Shkupit dhe Athinës, me ç’rast ndihma nga Franca është e nevojshme dhe e mirëseardhur për ta përmbyllur këtë kontest. “Këto zhvillime duhet të sigurojnë rekomandim të plotë dhe të pastër për nisje të negociatave me Bashkimin Evropian më 17 prill si dhe datë për fillim të procesit aderues në BE”, theksoi Ahmeti. Gjithashtu, Ahemti, elaboroi edhe rreth zhvillimeve për shpalljen e dekretit për Ligjin për Gjuhët duke nënvizuar pritjen që Ivanov të jep kontributin e vet dhe ta vë firmën mbi rrumbullakësimin e pjesës normative të Marrëveshjes së Ohrit.