Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka pritur sot në një takim pune në selinë e BDI-së në Tetovë, Shefen e Misionit të OSBE në Shkup, Ambasadoren Nina Suomalainen. Ahmeti dhe Ambasadorja Suomalainen diskutuan rreth situatës paszgjedhore në Maqedoni me ç’rast Ahmeti elaboroi mbi qëndrimet e BDI-së për gjendjen e krijuar.
Kryetari i BDI-së foli për fushatën tendencioze të orkestruar kundër tij dhe BDI-së në dy vitet e fundit dhe tha që tani ka ardhur koha që e vërteta të del në shesh, për çdo akuzë, për çdo shpifje, për çdo paqartësi dhe për çdo dilemë. Ahmeti është i vendosur që drejtësia ta thotë fjalën e vet dhe të largon të gjitha dyshimet tendencioze dashakeqe mbi figurën e tij dhe të BDIsë, e drejta duhet të ngadhnjejë.
Kryetari i BDI-së nënvizoi që të gjithë anëtarët e BDI-së, bashkë me Kryesinë, do t’u përmbahen parimeve të paracaktuara dhe do të veprojnë në drejtim të forcimit të shtetit dhe kthimit të besimit të qytetarëve në institucionet e vendit sepse kjo për ne nuk është betejë për pushtet, por për ta ruajtur vlerën kombëtare të shqiptarëve dhe për ta hequr hijën që dashakëqinjtë janë përpjekjur që ta hedhin mbi të. Ali Ahmeti fton liderët e partive politike që t’i bashkangjiten në apelin drejtuar policisë, ushtrisë, administratës shtetërore dhe të gjithë qytetarëve që të punojnë me përpikshmëri dhe qetësi, në shërbim të sigurisë dhe stabilitetit shtetëror. Ahmeti gjithashtu fton miqtë ndërkombëtar që të mos qëndrojnë indiferent ndaj zhvillimeve në vendin tonë dhe të vijojmë ta ndërtojmë shoqërinë së bashku si në 16 vitetet e kaluara.
“Ne do të mbetemi kontribues për mirëqenie shoqërore dhe insistues të denjë të integrimit EuroAtlantik, reformave në vend dhe rrumbullakësimit të Marrëveshjes së Ohrit sepse këto shtylla e bëjnë vendin më të fortë”, është shprehur kryetari i BDI-së Ali Ahmeti gjatë takimit me ambasadoren Soumalainen.