Manastir, 21 nëntor – Me Akademi solemne dhe promovim të librave, sot në Manastir është shënuar 22 nëntori, Dita e Alfabetit shqip dhe 110 vjetori i Kongresit të Manastirit.
Në solemnitetin në Muzeun e Alfabetit, në prani të ministrave qeveritar, deputetë dhe përfaqësues të Bashkësisë akademike, kryetari i BDI-së Ali Ahmeti ka thënë se Kongresi i Manastirit është ngjarje historike dhe me rëndësi të madhe.
“Sot shënohet një ngjarje shumë e rëndësishme, 110 vjetori i Kongresit të Manastirit, njëherësh edhe shënimi i 550 vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Pas thënies së Naim Frashërit se ‘dielli lind në Perëndim’ motoja e Rilindjes kombëtare me përcaktimin e Alfabetit të gjuhës shqipe, njëherësh bëri përcaktimin gjeostrategjik për të ardhmen politike të shqiptarëve. Pra, kjo ngjarje historike në Manastir, përveç që ka rëndësi kulturore ka edhe rëndësi gjeostrategjike dhe politike”, ka thënë Ahmeti dhe ka kujtuar në rëndësinë e momentit aktual politik në shtet, që siç tha, “është proces i ndjeshëm ku precizohet e ardhmja dhe ne si qytetarë duhet të japim kontributin tonë”.
Ndryshe, shënimi i Ditës së Alfabetit këtë vit shënohet me moton: “Dielli për ne lind në Perëndim”