Tetovë, 23 dhjetor – Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka pritur sot në selinë e partisë në Tetovë kryetarin e Komunitetit Shqiptaro-Amerikan të shtetit të Teksasit, SHBA, Bruno Ceka.
Ahmeti uroi bashkatdhetarin Ceka për drejtimin e shoqatës së rëndësishme për organizimin e komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke i ofruar mbështetje të plotë nga vet ai si dhe nga Bashkimi Demokratik për Integrim.
Ahmeti dhe Ceka këmbyen mendime rreth situatës në vend dhe rajon, Marrëveshjen e Prespës, sundimin e së drejtës.
Ahmeti gjithashtu shprehu mirënjohjen e tij të thellë për komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Kontributi i këtij komuniteti për luftërat çlirimtare kombëtare është i jashtëzakonshëm, por njëkohësisht ky komunitet paraqet urën tonë me aleatin tonë më të fuqishëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thotë Ahmeti.
Bashkëbiseduesit, siç citohet në njoftimi zyrtar, u dakorduan që integrimi Euro-Atlantik është alternativa e vetme për vendin tonë dhe rajonin. Gjithashtu, Ahmeti dhe Ceka diskutuan edhe rreth finalizimit të dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit.