Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti sot ka realizuar takim pune me ish-kryeministren e Republikës së Sllovenisë Alenka Bratushek dhe ambasadorin slloven në Maqedoni, Millan Jazbec.
Ahmeti është shprehur i bindur që shumica absolute e qytetarëve do të përkrahin integrimin në NATO dhe BE, ndërsa ka ftuar opozitën që t’i bashkëngjitet rrumbullakësimit të procesit integrues sepse këtë e presin qytetarët e tanë.
Kryetari Ahmeti, njoftojnë nga Zyra për informim e partisë, e ka njoftuar Bratushekun me zhvillimet e fundit në vend në lidhje me reformat dhe integrimin euroatlantik, ndërsa bashkëbiseduesit kanë këmbyer pikëpamje edhe rreth situatës në rajon.
Lideri Ahmeti, shtohet më tej në kumtesë, ka përsëritur qëndrimin e gatishmërisë absolute të Bashkimit Demokratik për Integrim për të kontribuar drejt përmbushjes së hapave për integrimin e plotë të Maqedonisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian.
“E vetmja alternativë për Maqedoninë është integrimi euro-atlantik, reformat sistemore, marrëdhënie të mira ndëretnike, lufta e pakompromistë ndaj korrupcionit dhe krimit. Të gjitha këto janë parakushte për zhvillim ekonomik dhe mirëqenie shoqërore”, thuhet në kumtesën partiake.