Shkup, 29 mars – Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti në takimin e fundit me Ambasadorin Klemens Koja, shef i misionit të OSBE në Shkup, ka elaboruar situatën politike në vend dhe rajon, sundimin e ligjit, zgjedhjeve presidenciale, dhe tema të tjera të interesit të ndërsjellë, informojnë nga selia “blu”, njofton gazeta KOHA.
“Kryetari Ahmeti përshëndeti avansimin e Sekretariatit për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit në nivel shumë më të lartë të Ministrisë duke e cilësuar këtë arritje si fort të rëndësishme që fuqizon edhe më tepër frymën e Marrëveshjes së Ohrit. Zoti Ahmeti foli edhe për angazhimin e BDIsë në drejtim të sundimit të së drejtës dhe plotësimin e standardeve evropiane duke theksuar rolin konstruktiv dhe vendimtar që ka luajtur BDI në përpilimin dhe miratimin e paketave reformuese. BDI shpreson që këto përpjekje do të vlerësohen nga vendet anëtarë të Bashkimit Evropian”, thuhet në njoftimin e BDI-së, transmeton KOHA.
Lidhur me zgjedhjet presidenciale, siç informojnë nga BDI-ja, Ahmeti njoftoi që të gjitha shtabet zgjedhore të BDIsë në çdo degë tashmë janë themeluar dhe jane funksional në shërbim të fitores së konceptit të kandidatit të përbashkët konsensual.
Në takimin Ahmeti – Koja është biseduar edhe për zhvillimet në rajon si dhe për procesin e anëtarësimit në BDI si dhe Kongresit që do të duhet të mbahet pas kompletimit të procesit zgjedhor. (koha.mk)