Tetovë, 7 nëntor – Në janar, Parlamenti grek do ta ratifikojë ftesën për në NATO, që pastaj të vazhdojë me vendet tjera. Kjo është çështje e kryer, ka theksuar lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, ndërsa është shprehur kundër idesë për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
“Zgjedhjet e parakohshme nuk janë zgjidhje për problemet aktuale, e sidomos për procesin e nisur tashmë. Në janar, Parlamenti grek do ta ratifikojë ftesën për në NATO, që pastaj të vazhdojë me vendet tjera. Është proces i pakthyeshëm. Nuk ka proces të lehtë, nuk ka zhvillime që mund të thuhet lehtësisht se janë kaluar, ka pasur debate nga më të ndryshmet, qoftë me pozitën apo opozitën, por gjërat kanë hyrën në binarë pa kthim dhe jam shumë i sigurt se 15 janari do të jetë rezultati i shumëpritur Përsëri them që do të gjejmë energji që zhvillimet të kapërcehen pa dhimbje dhe pa pasoja për proceset. Përgjegjësia kryesore këtu bie mbi LSDM-në. Sigurisht që edhe në nuk mund ti ikim përgjegjësisë, por ka shumë dikastere që ne nuk kemi ndikim. Atje, LSDM ka më shumë ndikim si forcë më e madhe politike. Ne ndikim kemi mbi proceset e përmbushjes së standardeve, sundimin e Ligjit, rrugën drejt NATO-s dhe Bashkimin Evropian”, ka thënë Ahmeti në emisionin “Debat” në televizionin Klan Maqedoni.
Në këtë debat, Ahmeti ka thënë se BDI akoma nuk ka hequr dorë nga presidenti konsensual, ndërsa megjithëse ka lënë të kuptohet se ka emra kandidatësh për zgjedhjet e vitittë ardhshëm presidenciale, ai nuk ka përmendur një të tillë. “Në duam një president konsensual dhe sigurisht se mund të flasim edhe për emra, por është herët”, është shprehur lideri i BDI-së. Ai ka mohuar të jetë diskutuar në Qeveri për riformatim të ri qeveritar, ndërsa ka lënë gjithçka të hapur.
“Gjërat kryesore kanë lëvizur në drejtim të mirë, megjithëse nuk është bërë një analizë e detajuar për zyrtarët tanë. Nuk dua të shpalos mendime të mia personale, pa ndonjë analizë konkrete. Këto i diskutojmë me organet e partisë, por edhe me partnerët e koalicionit, sepse përgjegjësi dhe analizë do ketë edhe për partnerët tanë në pushtet. Politikat duhet dhe bëhen bashkërisht dhe normalisht se këto do ti diskutojmë”, tha Ahmeti. (koha.mk)