Shkup, 4 janar – Mesfushori ofensivë i thotë ‘po’ ofertës së drejtuesve të klubit dhe firmos kontratë profesionale me kuqezinjtë. Lajmi e kanë konfirmuar edhe nga klubi kuqezi, përcjellë gazeta Koha.
“KF Shkëndija me kënaqësi komunikon marrëveshjen me futbollistin 25 vjeçar, Valon Ahmedin. Drejtuesit e klubit dhe mesfushori ofensivë kanë gjetur akordin për bashkëpunim në 3.5 vitet e ardhshme dhe pas nënshkrimit të kontratës lojtari tashmë zyrtarisht është pjesë e kuqezinjve”, thonë nga klubi kuqezi në faqen zyrtare të klubit.
Derisa, pas nënshkrimit të kontratës ka folur edhe vetë Valon Ahmedi.
“Ndjehem shumë i lumtur. Në radhë të parë dua të falënderoj të gjithë anëtarët e KF Shkëndija për pritjen e ngrohtë që më kanë bërë, për profesionalizmin e treguar, për besimin dhe për vlerësimin që më kanë bërë si futbollist. Përveç faktit se është një kënaqësi e madhe, mund të them se është një privilegj shumë i madh për mua si futbollist, sepse të gjithë e dinë se Shkëndija ka qenë, është dhe do të mbetet historia e gjithë shqiptarëve këtu në vendin tonë”, shprehet Valon Ahmedi pas zyrtarizimit të bashkëpunimit me Shkëndijën, transmeton gazeta Koha.
“Jam shumë i lumtur për marrëveshjen me Shkëndijën, sepse rikthehem në vendlindje, në veçanti pranë familjes time që paraqet një energji dhe diçka që nuk përshkruhet me fjalë, për faktin se deri tani kam luajtur çdo herë jashtë. Mua më mbetet që vetëm me punë, angazhim, me djersë dhe me përkushtim maksimal t’ia kthej besimin e Shkëndijës në fushë për gjithçka që kanë bërë deri tani. Të them të drejtën mezi pres të nis punën me grupin”, përfundoi Ahhmedi.
Valon Ahmedi në Tetovë vjen nga kampionati kroat ku u paraqit me Inter Zapreshiq. Paraprakisht ka luajtur me Ironi Kiryat Shmona të Izraelit, Mariborin dhe Celjen në Slloveni, si dhe me F.C. Südtirol të Italisë ku në vitin 2012 nisi karrierën si profesionist. Kërçovari regjistron dy paraqitje me kombëtaren A të Shqipërisë, pasi paraprakisht është paraqitur me gjeneratat U21 dhe U19 të kuqezinjve.
Valon Ahmedi do të bashkohet me ekipin që në grumbullimin e parë të planifikuar për datën 5 janar, ndërsa bëhet përforcimi i dytë i Shkëndijës në këtë afat kalimtar, pasi prej më herët është konfirmuar marrëveshja me mbrojtësin, Ardin Dallku.
KF Shkëndija i uron mirëseardhje Valon Ahmedit, duke i dëshiruar suksese dhe shumë fitore me fanellën e skuadrës tonë!