Instinktet, epshet, fama gumëzhijnë trunin dhe errësojnë racion tonë ! Dhe ç’bëjmë : prodhojmë shije masive provincialistësh, në ndërkohë që pjellim gjeni e ia falim botës pa pikë ndërgjegje . Po pse more, kaq perverzë të jemi!? Fol, …pshtyje me gëlbazë mediokritetin që ka lëshu rranjë ndër ne dhe çliro vehten …Rreshtoju pas lirisë me nur dhe vlerëso Gjeniun siç i ka hije!
Nga Adelina MARKU
‘’Sjellja e mirë është streha e fundit e mediokritetit …’’ e kisha lexuar diku këtë thënie dhe që në atë çast më nxiti të bluhem në dilemë se hmmmmm, përse pikërisht kjo gjë e mirë qenka përsëri strehë e mediokritetit…Me gjasë, në leximin tim , ky shpërthim intimiteti i autorit të thënies ka të bëjë me tentimin e tij për të cilësuar dyfytyrësinë e sjelljes sonë , të përditshmes ose asaj në raste. Biles më së shumti kjo ka të bëjë me dhënien cilësi ‘’sjelljes në raste’’… sepse aty spikatet dyfytyrësia . Në një shoqëri si kjo e jona, sjellja mediokre është ajo shpulla e madhe që e zhbën/ e zhbyth/e tkurr origjinalitetin e gjeniut madje. Unë mediokrë(e)t i dalloj lehtë …ata më shkaktojnë një si tip djersimë në lug shpine kur tentojnë të bëjnë profesorin e universitetit, kritikun e artit, shkencëtarin /zbuluesin, kërkuesin , analisti(e)n , teologun fisnik , arkitektin , mësuesin e spikama të këtilla e aq tjera profesionesh . Kjo, djersima pra , me kohë m’u shndrua në një nuancë imuniteti dhe më polli përbuzjen ndaj tyne, ndaj mediokërve . Pra , çka bëka një njeri që të shpëtojë veten nga ftofja e përditshme që i shkakton mediokriteti i shoqnisë ku jeton ? Përbuz?! Por më ndjeni , përbuzja pra sjell rrezikun e madh, me gjasë ajo kërkon të jetë e shkolluar deri në art ë, sepse edhe ai/ajo që përbuz mediokrët thonë është mediokër i tipit të vet. Pra, shkolloje përbuzjen ndaj kësaj kategorie, që do të thotë , jeto me ta por mos bëj si ta! Ose vazhdimisht përsëritja vetes atë të Jim Morrison ( një perlë prej mashkulli ky për sytë tanë femnorë …s’kam si i ik këtij venerimi) që thotë : ‘’Ku është/qëndron vullneti yt për të qenë i çuditshëm ?’’ Tani, nuk jam më e qartë nëse djersima më rrjedh lukunishëm n’shpinë edhe kur mediokrin o mediokren e shoh në rolin e përfaqësuesit të popullit, sepse hmmm i thonë një si tip llafi, si populli ashtu përfaqësuesit, capish. Aha , po po, po ju nuhas pakënaqësinë që sapo jua lexova në fytyrë tek e shpalosa këtë konstatim të thënë sa e sa herë , por miq , flisni drejt – ani se shtrembën kambsh jeni: ky që sapo fola është ai argumenti babaxhan që as Perëndia nuk e mohon. Mediokërve jepu një mediokër për ti udhëheqë, ashtu ndihen mirë ata e në zonë komfori. Po ju dhe mediokërve një të çuditshëm për t’i udhëheqë, asi tipi me vullnet mali e oqeani, ata tremben nga ky shpirt prej vigani dhe e refuzojnë atë, e përfolin ( llm llam llam llam , bljaaaakkk) …, e tup tup tup i kthehen mediokritetit , ‘’aty loçk – te zona e komforit t’du ngult!’’ Mediokriteti është si streptokoku, mësohesh të jetosh me të ! Tani , çka bëkam unë që e përbuz shkollueshëm mediokritetin ? E bëj atë që duhesh t’a bësh edhe ti nëse je dakord me mua: krisja bre shpullë mediokritetit mu në lug zemre. Skuqe bre mirë! Çka fiton? Hahahah, krisashpulla nuk ka të bëjë me fitimin material e as profesional, ka të bëjë me shpirtin e viganit. Ky/kjo, vigani/vigan’ja ka këtë filozofi: ‘’Çdo gjë e mirë është e vështirë. Çdo gjë e keqe është e lehtë . Të vdesësh, të humbësh, të manipulosh dhe të jesh mediokër është lehtë. Largohu nga e lehta! Kapu pas s’mirës së vështirë!’’ Tani, e bëna gjithë këtë hymje ( kisha mujt me shkrujt për mediokrët deri në intelektualizmim orgazmik…, kisha bo ‘’stand up comedy’’ bre, kisha …ojjjj nannnn sa kisha mujt me dynd male !) për me konstatu se tre ngjarjet që shënuan këtë muaj më duket , më bëjnë të kujtohem në ejakulimin tip Erazmo Roterdami tek ky e kish shkruajt Lavdërimin e Marrisë : e para ngjarje , ekspozita e të madhit Adem Kastrati, e dyta ngjarje Protokoli për gjeniun Ferid Murati në Shkup dhe e treta thirja në Zot e Xherdan Shaqirit që hund jua theu atyne që duhen thyer hundt vazhdimisht…e vazhdimisht, o vazhdimisht bre! Nuk shkova ne ekspozitën e të Madhit Adem Kastrati dhe dua ti kërkoj falje publike mikes sime aq të respektume , profesionistes t’- spikatun Zonjës Dita Starova që rrefuzova me shku pikërisht asaj nate. Shumë nga miket e mia që kishin përcjellur ekspozitën m’gufuan të njëjtat fjalë e përshtypje shoqëruar me pasthirje pakënaqësie mrrolane : ‘’ po pse bre dijnë me prish çdo send këta politikanët tanë, ojjj breeee , po pse bre ??!!!??’’ Sa për t’ju përafruar ngjarjen të nderuar lexues , më lejoni të ndaj me ju disa fakte. Galeria e Arteve e Maqedonisë që në themelimin e vet nuk ka patur menaxhuese më të denjë se Dita Starova. Ky është fakti që më mburr mua dhe çdo femën tjetër . Nuk do e zgjas më shumë , mjafton të përmend tre emra që kanë spikatur e ndriçuar muret e kësaj galerie : Omer Kaleshi, Ibrahim Kodra e sëfundmi Adem Kastrati. Tre gjenitë që ia dhamë botës, kulturës, civilizimit, të bukurës, dashunisë galaktike! Dita Starova i solli në Shkup për shijet e spikatura artistike e për të përcjellur jo vetëm mesazhe kozmopolitane që ndërthurin histori individësh e lidhin popuj , por edhe identitare të fuqishme! Ja se përse mburrem me Dita Starova. Por t’i kthehem ngjarjes mbi ekspozitën e pikturave të Gjeniut Adem Kastrati. Në mendimin tim, aty vloi mediokriteti! Madhështinë e perlës artistike Adem Kastrati e lanë në hije fjalimet mediokre e të shpifuna e të tepërta e të pavendtta të ‘’eminencës gri ‘’ pushtetare . Hej, dita ishte e Ditës dhe e Ademit , ndërsa pushteti aty nuk e ka vendin! Fjalimet e pushtetarëve bënë që të kujtohem në shpërthimin e një një piktori të viteve 1800-ta, Jean Auguste Dominique Ingres i cili për ekspozitat ka thënë këtë gjykim kapital, pasojë mllefi ndaj medikoritetit:’’ Ekspozita tani është bërë jo më shumë se një pazar ku mediokriteti përhapet me padurim. Ekspozitat janë të padobishme dhe të rrezikshme … ato duhet të hiqen!!!!’’. Fjalimet e gjata e të pavend nga ana e Kryetarit të Parlamentit dhe Ministrit të Kulturës duheshin hequr nga programi, ata aty nuk e kanë vëndin! Z. Talat Xhaferi dhe Z. Asaf Ademi do ishin vizitorët e respektuar të ekspozitës por jo të bëheshin në rolin e ‘’iluminuesve ‘’ të ekspozitës. Gabim, gabim kapital ky. Unë jam e bindur që një këshilltar I mirë do i jepte këtë këshillë Kryetarit të Parlamentit , e tuj e sodit dhe karakterin e tij ai me shumë miradi do e respektonte një këshillë të këtillë: ‘’ Z. Kryetar juve nuk jeni i thirrur të flisni për ngjarjen ! ’’. Talati , me një elegancë sublime prej një Xheku ( themi ne nga Dibra) do thoshte : ‘’Faleminderit në këshillë, ashtu do ia bëj. Por ama , ekspozitën dua t’a shijoj!’’ E njëjta vlen për Ministrin e Kulturës , Z Asaf Ademi, roli i tij si folës në ekspozitë tregon se neve pranojmë faktin se na pëlqen të rrobërohemi nga programimi kulturor, e tuj e bë këtë ne e shndrojmë kulturën me vetëdije në një halucinim masiv . Oh dhe, vetëm ai /ajo që i ik këtij halucinimi masiv , e sheh se sa vleka ajo culture!!!! ( oiiiii, vaj o vaj…!). Artii që folet përmes gojës së politikanëve varroset, bëhet për shije antiart-filësh që gumëzhojnë damareve të antikulturës! PIK! Gjeniun nuk mund t’a programosh! Ngjarja e dytë , dhënia e titullit Honoris Causa nga ana e Universitetit “Nëna Tereza” në Shkup shkencëtarit , gjeniut, nobelisitit Ferid Murati ishte një kakofoni, oj parodi, oj ku me u mshef bre! Ishte një skandal! O ishte një turp! Përse e fyet gjeniun kaq ulët!? Gjest cinik…! Gjest utilitaristësh!!! I atillë që buron nga institucone ku vlon mediokriteti akademik! Hej, stop!!! Rritu njëherë si institucion , boju (burrnohu o grranohu), masnej mbarsu me gjeni! Gjatë gjithë kësaj kohe , puno me përrulje …mos u krekos ! TURP! Ngjarja e tretë kishte të bëjë Xherdanin . Vluan rrjetet sociale nga hipokritët , reaguan me sharje, me mllef , me piskama harlisjeje neurotike , me hidhërim ndaj gjeniut sportiv Xherdan Shaqiri, tek ai u thir në Zot përmes besimit që ai ka zgjedhur t’i takojë ! Kush na jep të drejtë neve të gjykojmë bre thirrjet e tija të brendshme e të fisme që e ndriçojnë besimin e tij të madh në punën që bën e fitoret kombëtare që na sjell!? Do ju kisha parashtruar vetëm një pyetje gjith ktyne hipokritëve: keni dëgjuar ndonjë sikombas yjesh sportive të piskasë e ulërijë ndaj gjith atyre legjendave të tyre sportive që njashtu si Xherdani bëjnë thirjen ne Zot përmes besimit tjetër të cili ata kanë zgjedhur t’i takojnë ? Pse more ata na qenkan nw rregull e ky për t’u gjykuar!? I/e nderum/e lexus/e, cinizimi që vlon damarësh, kjo ndërgjegje falsive e shkolluar, hipokrite, e dëmshme , vetëshkatruese bën që ne të mbarsemi çdo ditë me medikoritetin që e pjellim nga vezoret e topet . Instinktet, epshet, fama gumëzhijnë trunin dhe errësojnë racion tonë ! Dhe ç’bëjmë : prodhojmë shije masive provincialistësh, në ndërkohë që pjellim gjeni e ia falim botës pa pikë ndërgjegje . Po pse more, kaq perverzë të jemi!? Fol, …pshtyje me gëlbazë mediokritetin që ka lëshu rranjë ndër ne dhe çliro vehten …Rreshtoju pas lirisë me nur dhe vlerëso Gjeniun siç i ka hije!
(Autorja është kolumniste e rregullt e gazetës KOHA)