Shkup, 27 tetor – Futbollisti i futsalit, Ferid Agushi sezonin e ri e nisi në mënyrën më të mirë të mundshme, duke realizuar “hat-trik” në fitoren 5:0 të Futsal Shkupit ndaj Karadakut në Kumanovë. Ishte kjo ndeshja e parë në sezonin e ri për skuadrën kampione të Maqedonisë së Veriut në futsal, që edhe këtë vit do të prezantojë vendin tonë në ndeshjet e Ligës së Kampionëve Evropian.
Agushi thotë së është shumë mirë që startoi kampionati vendor në futsal, pasi do të shërbejë si një parapërgatitje për ndeshjet që i presin në Ligën e Kampionëve në javën e fundit të nëntorit.
“Pas pauzës që pati e gjithë Bota për shkak pandemisë, e kishim shumë të vështirë të rikthehemi në stërvitje. Kemi filluar që para dy muajve me përgatitje, pasi siç dihet do të luajmë edhe në Ligën e Kampionëve, ashtu që me padurim prisnim fillimin e kampionatit”, theksoi Ferid Agushi për faqen zyrtare të klubit, përcjellë koha.mk.
Ai më pas foli edhe për ndeshjen ndaj Karadakut, që u zhvillua të dielën, ndërsa ishte Agushi lojtari që me tre golat e tij i siguroi fitoren futsal Shkupit.
“Ndeshja kundër Karadakut ishte mjaft e fortë. Në këtë ndeshje kishim disa mungesa shumë të rëndësishme në formacion, por me angazhim maksimal të të gjithë lojtarëve në fund arritëm ti marrim tre pikët e plota”, u shpreh Agushi. Ferid Agushi më pas ka theksuar se kampionati i sivjetshëm do të jetë më i ekuilibruar pas për titullin do të luftojnë edhe dy skuadra tjera. “Kampionati sivjet do të jetë më i ekuilibruar, pasi janë edhe dy ekipe tjera pretendente për titull. Neve si skuadër do të luftojmë ndeshje pas ndeshjes, me hapa të sigurt dhe besoj se suksesin e kemi të garantuar”, ka deklaruar Agushi, përcjellë koha.mk. (F.N.)