Nuk është Messi, por një argjentinas tjetër, ai që pëlqehet nga trajneri i ri i PSG-së. Edhe ai mund të merret falas në verë. Mauricio Pochettino është i prirur për sulmuesin e Manchester City, Sergio Aguero. Këtë fakt e ka zbuluar agjenti i futbollit, Bruno Satin. Duke folur për “Canal +”, ai nënvizoi se trajneri i ri i parisienëve po i jep përparësi transferimit të bomberit të Manchester City për të kompletuar repartin e përparmë, edhe tani i mbushur me yje. Me Neymar dhe Kylian Mbappe në grupin aktual, ardhja e Aguero do ta rriste sulmin e PSG-së dhe fuqinë e yjeve të tij. Në fakt, zbulimi i kësaj piste të bën të mendosh se sheikët e kampionëve francezë nuk po mendojnë për Leo Messi, aq shumë i përfolur për një kalim në “Parce des Princes”. Ndoshta kapiteni i Barcelonës është i prirur të qëndrojë në “Camp Nou”, ose të bashkohet me Guardiolën te Manchester City, duke zënë vendin e bashkatdhetarit të tij, që pëlqehet nga Pochettino.
Ndërkohë, Pochettino, i cili ditë më parë është zyrtarizuar si trajner i ri i Paris Saint Germain e di se skuadra ka nevojë të përforcohet me emra të rinj dhe ka bërë Paul Pogban pas Agueros, si prioritetin kryesor. Francezi është i gatshëm të largohet nga Manchester United, pasi nuk është duke kaluar në formën më të mirë. Por kampioni në fuqi i Francës nuk do ta ketë të lehtë transferimin e tij, pasi edhe Juventus e Real Madrid duan Pogban. Daily Star ka shkruar se Pochettino i ka bërë të qartë drejtorit sportiv të PSG-së, Leonardos se e dëshiron me çdo kusht Pogban në skuadër. Për të arritur deri te francezi, PSG duhet të ofrojë më shumë se 80 milionë euro. Përveç mesfushorit francez, Pochettino e do te PSG edhe mesfushorin e Tottenham Hotspur, anglezin Dele Alli.