Rajonet tona, duke filluar nga Likova, ultësira e Shkupit, Pollogu, Pellagonia, zonat liqenore të Strugës e Ohrit janë destinacione ideale për investime, parasegjithash të biznesmenëve vendorë, por edhe atyre të huaj. Një strategji efikase zhvillimore që do të përpilohej do të bënte këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor pikë referimi për shumë produkte, të cilat edhe në pikëpamje klimatike edhe gjeografike kanë shumë specifika që do të ishin joshëse për tregun e huaj. Vetëm dikush (nga politika) duhet ta lodhë pak trurin…
Nga Emin AZEMI
Vetëm të papunët dhe politikanët jokreativë bijnë shpejt në depresion dhe mundohen t’i bindin të tjerët se këtu nuk ka perspektivë. Një kohë të gjatë u punua në krijimin e kësaj klime mosbesimi, kurse politika e keqe arriti të ngrejë në standard jo qëndrimin në vendlindje, por ikjen nga ajo.
Por a veprojnë kështu shtete e rajonit? Pas penaltive që pagoi kundrejt BE-së, Bullgaria më në fund po e merr veten. Bëhet e ditur se 14 milionë euro do të investohen nga Balkan Agrikalcaral në një depo dhe fabrikë prodhimi në Zonën Ekonomike Trakia, në fshatin Kalekovets të Bullgarisë. Njoftimi u bë publik nga kryetari i bashkisë së Maritzas, Dimitar Ivanov, dhe inxhinieri Plamen Pançev, CEO i TEZ.
Investimi, siç raportojnë mediat bullgare, do të zhvillohet në dy faza. Faza e parë përfshin ndërtimin e një qendre logjistike dhe të një depoje për pemë dhe perime të freskëta me sipërfaqe totale 55,000 m². Vlera e parashikuar për këtë investim shkon në 4 milionë euro. Faza e dytë e investimit përfshin ndërtimin e një fabrike për përpunimin e koncentrateve të frutave dhe perimeve, me vlerë prej 10 milionë eurosh (e cila do të ndërtohet në një sipërfaqe prej 45,000 metrash katrorë).
Ky projekt ka edhe mbështetjen financiare të Programit Operacional “Inovacioni dhe Konkurrueshmëria 2014-2020”, dhe “Sipërmarrja dhe Kapaciteti për Rritjen e NVM-ve” nën procedurën e “Zhvillimit të Klasterave në Bullgari”, e bashkëfinancuar nga Bashkimi Europian nëpërmjet Fondit Europian të Zhvillimit Rajonal dhe nga buxheti kombëtar i Republikës së Bullgarisë.
Fabrika do të ketë pajisje të teknologjisë së lartë italiane dhe do të përpunojë perimet dhe frutat në koncentrate, si për shembull pure patateje apo molle, specifikoi më tej kryebashkiaku Dimitar Ivanov.
Balkan Agricultural ka edhe një fabrikë tjetër pranë Pazardzhikut. Zgjedhja për ndërtimin e fabrikës së dytë në fshatin Kalekovets u bë pas studimit të kushteve të ofruara nga Zona Ekonomike e Trakisë dhe e Bashkisë Maritsa. Përveç kësaj, një arsye tjetër është edhe se në Plovdiv është i regjistruar numri më i madh i prodhuesve të frutave dhe perimeve në vend. Sipas ekspertëve të agrikulturës në këtë fabrikë do të përpunohen kulturat e vitit të ardhshëm.
Ardhjae investitorëve të huaj në fushën e përpunimit të frutave dhe perimeve do të zgjidhë një nga problemet më të rëndësishme për fermerët në rajon, blerjen e prodhimeve të tyre. Për të tërhequr dhe për të mbajtur investitorët, Zona Ekonomike Trakia po ofron trajnimin dhe kualifikimin e banorëve në qendra të ndryshme trajnimi të hapura në vend.
Siç bëjnë të ditur autoritete lokale, rezerva e kapitalit njerëzor në rajonin e Plovdivit shkon në rreth 200,000 njerëz. Ka edhe një numër të madh njerëzish që nuk marrin pjesë fare në tregun e punës. Por me kualifikimet profesionale që ata do të marrin në qendrën e trajnimit, ata mund të fillojnë lehtësisht punë në një ndërmarrje të mesme në industrinë e automobilave, makinerive apo industrive prodhuese, të gjithë sektorë që ofrojnë një pagë të mirë.
Rajonet tona, duke filluar nga Likova, ultësira e Shkupit, Pollogu, Pellagonia, zonat liqenore të Strugës e Ohrit janë destinacione ideale për investime, parasegjithash të biznesmenëve vendorë, por edhe atyre të huaj. Një strategji efikase zhvillimore që do të përpilohej do të bënte këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor pikë referimi për shumë produkte, të cilat edhe në pikëpamje klimatike edhe gjeografike kanë shumë specifika që do të ishin joshëse për tregun e huaj.
Vetëm dikush (nga politika) duhet ta lodhë pak trurin… (koha.mk)