Qëllimi është që përfaqësuesit e bujqve më lehtë të zgjidhin hallet dhe telashet e fermerëve, duke i adresuar ato në kohë dhe pa vonesa deri tek kompetentët
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 22 mars – Riafirmim të aktiviteteve dhe punës së Këshillit për bujqësi dhe zhvillim rural, apo Agrokëshillit kanë paralajmëruar nga ekzekutivi. Sipas paralajmërimeve qeveritare, pas konsultimeve me të gjithë palët – është vendosur që pas disa vitesh të lënë pasdore të këtij trupi konsultativ – të formuar në vitin 2012 dhe të paramenduar si forum për një dialog të vazhdueshëm dhe të pandërprerë midis sektorit publik dhe shtetëror për politikat e dedikuara për fermerët, ai të ringjallet në favor të mbarëvajtjes së punës në sektorin e bujqësisë, shkruan gazeta KOHA.
Tani ky mekanizëm duhet të mundësojë një debat më të gjerë nga të gjithë palët për problemet dhe çështjet e ndryshme bujqësore dhe të zhvillimit rural. Me fjalë të tjera, qëllimi tij është që përmes politikave efektive, të punojnë në rritjen e prodhimtarisë bujqësore në shtet.
“Roli i Këshillit për bujqësi dhe zhvillim rural është të jetë mekanizëm konsultativ për politikat, të sajojë plane dhe programe për zhvillimin e bujqësisë, si dhe të ofrojë mendime për rezultatet e arritura lidhur me masat dhe instrumentet e ndryshme zhvillimore. Njëherazi nën kompetencën e tij është edhe shqyrtimi dhe miratimi i programeve vjetore për punën e grupeve të nënsektorëve të ndryshëm në bujqësi dhe blegtori, programeve operative për përkrahje teknike për prodhime të ndryshme bujqësore, si dhe jo më pak e rëndësishme dhe ndjekja e analizave dhe rekomandimeve të institucioneve shkencore dhe arsimore, analiza e realizimit të politikave bujqësore etj”, thonë nga Ministria e Bujqësisë. Njëherësh, ai pritet të mbajë edhe komunikim të përhershëm midis Ministrisë së Bujqësisë dhe partnerëve të tjerë ekonomik dhe social që përfshihen në zbatimin e masave të ndryshme për zhvillimin e bujqësisë, me qëllim të arritjes së konsensusit për çështje të caktuara bujqësore, dhe sidomos për rregullimin e tregjeve bujqësore. Këtë trup do ta udhëheqë ministri i Bujqësisë, Ljupço Nikollovski, ndërsa paraprakisht me të udhëhiqte kryeministri Zoran Zaev. Në të marrin pjesë nga një përfaqësues i tre shoqatave kombëtare më të mëdha bujqësore sipas numrit të anëtarëve, nga një përfaqësues i dy shoqatave më të mëdha të industrisë përpunuese, nga një përfaqësues i Odave ekonomike, përfaqësues i institucioneve arsimore dhe shkencore nga sfera e bujqësisë, përfaqësues i shoqatës së konsumatorëve, BNVL-së dhe shoqatave për mbrojtjen e ambientit dhe shoqatave për avancimin e turizmit rural.
Në mbledhjen e parë të konstitutive të përbërjes së re në fund të muajit mars të vitit të kaluar, Agrokëshilli miratoi ndihmë më të madhe për kultivimin e dhenve, paralajmëroi miratimin e Ligjit për zbatimin e zvogëluar të pesticideve, decentralizim në shpërndarjen e tokës bujqësore nga një janari i vitit 2019, apo komunat vetë të propozojnë tokat e lira bujqësore për dhënie me qira që duhet të vendosen në dispozicion me çka hapet mundësia që në zyrat e komunave edhe rurale në vend në zyrat rajonale të ministrisë së bujqësisë të parashtrohen kërkesat për subvencione. Është propozuar edhe përgatitja e strategjisë për sigurimin e prodhimtarisë bujqësore. Synohet që Këshilli Bujqësor të miratojë vendime të përbashkëta nga ana e të gjithë palëve në favor të fermerëve, për shkak se edhe përfaqësues të prodhuesve, por edhe përpunuesve të ushqimit në mënyrë të drejtpërdrejtë do të marrin pjesë në krijimin e politikave bujqësore , parashtrimit të problemeve dhe dhënies propozime për zgjidhjen e tyre. Apo qëllimi është që përfaqësuesit e bujqve më lehtë do të zgjidhin hallet dhe telashet e fermerëve duke I adresuar ato në kohë dhe pa vonesa deri tek kompetentët për zgjidhjen e tyre.
Ndryshe, në të ardhmen, Maqedoninë e Veriut edhe pret edhe formimi i Këshillit Fiskal për shkak se jemi ndër shtetet e rralla evropiane që nuk kanë një trup të tillë që kontrollon harxhimin e parave buxhetore apo të hollat e qytetarëve që me tatimet e tyre mbushin arkën e shtetit si dhe nivelin e borxhit publik në shtet. Njëherësh, ekspertët sugjerojnë që Këshilli fiskal të jetë një organ i pavarur i ekspertëve financiar, që do të këshillojë dhe korrigjojë politikat fiskale në shtet. Pra, ata pritet të mbikëqyrin mënyrën se si qeveria zgjedhë të shpenzojë buxhetin e saj me qëllim të furnizimit të qytetarëve me shërbime dhe mallra publike. (koha.mk)