Ansi Agolli duket se do të thotë “mjaft”. Të paktën sa i takon futbollit jashtë vendit, ku ka lënë gjurmë të pashlyeshme, sidomos me Qarabag. Me azerbajxhanasit, ish-kapiteni i kombëtares shqiptare po luan sezonin e nëntë, ndoshta duke vendosur një rekord në këtë drejtim, në këtë klub.
Një “flamur” për bashkëlojtarët e tij dhe tifozët atje, si kapiteni që nuk do të harrohet kurrë. Por, si çdo fillim, ka edhe një fund. Kështu duket se do të ndodhë edhe me 36-vjeçarin kryeqytetas, të datëlindjes 11 tetor 1982. Siç njoftohet në faqen e Qarabag në Facebook, shqiptari pritet ta mbyllë karrierën në fund të sezonit: “Ansi Agolli po mendon ta mbyllë karrierën në fund të sezonit. Për këtë arsye, sezoni aktual do të jetë i fundit për të te Qarabag”.
Megjithëse këtu flitet për mbyllje karriere, mbetet të shihet nëse do të vijojë te skuadra e tij e zemrës, Tirana. Sikurse ka paralajmëruar disa herë, dëshira e tij është që ta mbyllë aty ku e nisi futbollin e luajtur. Dhe nuk mund të kishte më mirë për një ikonë bardheblu, si ai.
Kujtojmë se Agolli ka dalë si futbollist te 24 herë kampionët e vendit, me të cilët nisi të luajë si profesionist në vitin 2000. Te Tirana qëndroi deri më 2005, ndërsa gjatë kësaj periudhe pati një periudhë të shkurtër kohe huazimi tek Apolonia e Fierit.
Sezonin 2005-2006 u transferua në Zvicër, për herë të parë jashtë vendit, ku luajti 29 ndeshje dhe shënoi 3 gola. Sezonin pauses kaloi te Luzern, skuadër me të cilën zhvilloi 8 ndeshje. Periudhën 2007-2009 e kaloi si lojtar i VAS (Vaasan Palloseura), në Finlandë. 33 ndeshje dhe 1 gol i shënuar është “pasaporta” e shqiptarit në këtë “stacion” të karrierës së tij.
Gjithsesi, pati gjatë kësaj kohe një huazim te Tirana, për një sezon, 2008-2009, ku zhvilloi 29 ndeshje dhe realizoi 5 gola. Ukraina do të ishte vendi i radhës, ku Ansi Agolli do ta “spostonte” karrierën në rang klubi, te Kryvbas Kryvyi Rih (2009-2012).
Më pas vjen huazimi te Qarabag, fillimisht, në sezonin 2010-2011, për t’u blerë nga klubi i njohur azerbajxhanas, me të cilin ka bërë historinë, me 201 ndeshje të luajtura dhe 4 gola të shënuar.
Me kombëtaren shqiptare, Agolli nisi të luajë që në vitin 2006. Ai debutoi në miqësoren 0-0 kundër Gjerogjisë dhe prej atij moment, ka luajtur 73 ndeshje e ka shënuar 3 gola me kuqezinjtë.