Zyrtarizimi i pasuesit të Max Allegrit pothuajse me siguri nuk do të bëhet para dhjetë ditësh, por siç shkruajti dje media italiane, kreditet e Maurizio Sarri për stolin e Juventusit janë vazhdimisht në rritje. Sipas “La Gazzetta dello Sport”, në fakt, vetë Andrea Agnelli e ka telefonuar trajnerin e Chelsea të dielën në mbrëmje për të testuar e studiuar situatën e tij. Sidoqoftë, së pari, ish-trajneri i Napolit duhet të luajë finalen e “Europa League” me blutë e Londrës, pastaj të mendojë për të ardhmen.
Menjëherë pas finales flitet se do të vijë “divorci” mes palëve dhe Sarri mund t’i thotë me kënaqësi “po” Juventusit, një kundërshtar i madh ndër vite i Napolit. Sarri, megjithatë, nuk është emri i vetëm në listën e Juventusit, ku figuron edhe Simone Inzaghin, ndërsa Jose Mourinho e Antonio Conte duken më të largët.
I pari përflitet se e ka refuzuar hipotezën e Juventusit, sepse do të preferonte të trajnonte në liga të tjera, ndërsa i dyti, sipas “La Gazzetta dello Sport”, ka pritur gjatë një ftesë nga Juventusi, por ajo kurrë nuk i ka mbërritur. Ëndrrat e mëdha bardhezi mbeten Pochettino dhe Pep Guardiola, por këto dy pista duken mjaft të vështira, në të gjitha drejtimet, edhe financiare. Zërat nga Spanja bëjnë me dije se trajneri kampion në Premier League ka zhvilluar një takim të fshehtë me drejtorin sportiv bardhezi, Fabio Paratici, në “Palazzo Parigi”.
Të dy trajnerët janë shumë të preferuar nga drejtuesit e “Zonjës së Vjetër”, por lirimi i tyre nga Tottenham dhe Manchester City, përkatësisht, duket pothuajse i pamundur. Për këtë arsye, deri më sot, favorit për stolin e Juventusit është Maurizio Sarri. Surprizat, megjithatë, nuk mund të përjashtohen, sepse në futboll gjithçka mund të ndodhë. Rasti i Cristiano Ronaldos, verën e vitit të kaluar, tregon se për Juventusin nuk ka gjë të pamundur…