Mund të duket e pabesueshme por është e vërtetë, Barcelona preferoi të blente Ousmane Dembele përpara Kylian Mbappe në verën e vitit 2017-të. Kjo prapaskenë e bujshme është zbuluar nga Josep Maria Minguella, agjenti që solli Lionel Messin te Barça kur ishte vetëm një fëmijë i vogël.
Në mikrofonat e Radio Marcas, Minguella ka zbuluar se pas shitjes së Neymar në vitin 2017 te Paris Saint Germain, ai u propozoi drejtuesve të Barçës ta zëvendësonin yllin brazilian me Kylian Mbappe që në atë periudhë ishte pjesë e Monacos por vetëm pak javë më vonë u transferua te Paris Saint Germain për 180 milionë euro. Por te Barcelona e refuzuan propozimin që u bëri Minguella duke firmosur me Dembele nga Dortmundi dhe duke snobuar Mbappe pasi cilësonin si më të fortë pikërisht Ousmane Dembele. Një zgjedhje e gabuar kjo dhe me siguri që tashmë drejtuesit e Barcelonës duhet të jenë penduar.