Agjenti Mario Giuffredi ka thënë se oferta e Atletico Madridit për Elseid Hysajn është shumë e ulët.
Agjenti i mbrojtësit shqiptar ka thënë për “Radio CRC” se Atletico ka ofruar më pak se 25 milionë euro, dhe sipas tij, kjo është nën vlerën e lojtarit.
“Oferta e Atletico Madridit ishte shumë e ulët dhe nuk reflekton vlerën e lojtarit. ishte nën 25 milionë euro, kaq mund të them. Napoli ka caktuar çmimin, jo për mua, por Elseidi dëshiron të provojë eksperiencat jashtë, dhe kush mund ta refuzojë Atletico Madridin? Ai ka thënë qartë dhe nuk ka dashur të ofendojë tifozët e Napolit. Ka ardhur koha për të provuar eksperienca të reja, nuk është për të fyer Napolin ose se dëshiron të zbehë ato që ka arritur këtu”.
Hysaj u përfol edhe si cak i Juventusit nëse Maurizio Sarri bëhet trajner në Torino.
“Pse Hysaj të mos shkojë te Juve? Është profesionist. Nuk pranoj fjalën ‘tradhtar’ në futboll. Janë të gjithë profesionistë dhe bëjnë atë që e konsiderojnë si të drejtë për karrierën e tyre”, ka shtuar agjenti i lojtarit. “Juve është klubi më i rëndësishëm në Itali dhe ka kërkuar Hysajn dy vjet më parë, por ai ka vendosur të mbesë te Napoli duke shpresuar se do ta fitojë Scudetton këtu”.