Sipas “Sky Sports”, përfaqësuesi i Diego Costa, Jorge Mendes, ka takuar pronarët e rinj të Milanit dhe po përpiqet të mbyllë transferimin e sulmuesit te klubi italian. Dje, ai tha për mediat se Antonio Conte i kishte dërguar një mesazh me tekst, në të cilin i shpjegonte se nuk e llogarit për sezonin e ardhshëm, kështu që duhet të shikojë për ekip tjetër. Lojtari, i cili është përfolur për një ofertë stratosferike nga liga kineze, ka thënë se do të donte të rikthehej tek Atletico Madrid, por nuk mundet, sepse FIFA i ka pezulluar transferimet e klubit spanjoll për këtë verë. Përfaqësuesi i lojtarit është takuar tashmë me Marco Fassone dhe Massimiliano Mirabelli të shtunën, në Cardiff, në finalen e Ligës së Kampionëve, ndërsa ka planifikuar një takim të ri për këtë javë.
Milani është interesuar te Mendes edhe për lojtarë të tjerë, si André Silva dhe James Rodriguez. Diego Costa do të largohet nga Chelsea, klub i cili ka hapur derën për Romelu Lukaku. Klubi i njohur italian ka në plan të bëjë shpenzime të mëdha financiare gjatë tri viteve të ardhshme, për ta kthyer ekipin në krye të futbollit italian dhe europian. Investitorët e rinj kinezë janë gati të bëjnë revolucion edhe gjatë merkatos së kësaj vere. Duhet përmendur se Diego Costa ka pasur një sezon të madh me Chelsea. Ai ka qenë kampion i Premier League, duke shënuar 22 gola dhe ka dhënë 8 asiste, në 42 ndeshje të luajtura.