Presidenti i sotshëm, por edhe ai i së nesërmes duhet të dijë që, bashkëpunimi ndërmjet institucioneve (Kuvendit) është një element i rëndësishëm për funksionimin e tyre, për imazhin e vendit edhe për përmbushjen e detyrave të gjithsecilit
Nga Delvina KËRLUKU
A mund të kemi guxim të kritikojmë një demokraci nën kthetrat e diktaturës? Shpesh e parashtroj këtë pyetje, e s’gjej fundin e përgjigjes! Ata që tërbohen ndaj një kritike do të thotë se e kuptojnë se e meritojnë. Kritikat që i drejtohen Presidentit të Shtetit (Gjorgje Ivanov) janë aq të zëshme, por nuk përfillen nga ai, as edhe nga këshilltarët e tij, veçmas atij shqiptar, që i mungon guximi. Kur dihet se çdo shqiptar duhet të mendojë për realizimin e interesave shqiptare dhe çfarë duhet të parandalojnë në raport me këto interesa. Kam dëgjuar e lexuar kritikat ndaj Presidentit nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, nga profesorë, politikanë e shumë të tjerë, që Presidenti e ka detyrë kushtetuese t’i nënshkruajë ligjet dhe marrëveshjet, të cilat i miraton dhe i ratifikon Parlamenti. Por, që të refuzohet kritika edhe nga ndërkombëtarët, respektivisht pjesëmarrësit në negociatat e ndryshme të ngjarjeve në Maqedoni, pjesëmarrës edhe të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, kjo duhet të zgjojë Presidentin dhe ekipin e tij.
Ditë më parë isha pjesë e promovimit të librit “Peacemakers”, të autorit James Pardew , në Shkup. Autori ka qenë dëshmitar i ngjarjeve dramatike dhe të luftërave në një pjesë të Evropës, duke qenë pjesëtar i diplomacisë amerikane në procesin e paqeruajtës në Bosnjë e Hercegovinë, Kosovë dhe Maqedoni.
Pardew e pohoi se ligji i gjuhës është miratuar nga parlamenti, por hodhi kritikën në drejtim të Presidentit se nuk duhet të ketë shkak që ta refuzojë nënshkrimin e tij. Po ashtu, edhe për refuzimin e marrëveshjes mes Shkupit dhe Athinës.
E vërteta edhe sipas ndërkombëtarëve është një ‘armë’ e tmerrshme sulmi ndaj Presidentit Ivanov. Njerëzit serioz, si Presidenti, nuk kanë nevojë për gjethe (fiku) që të mbulojnë të vërtetën lakuriqe. Në vend se të interpretojmë vlerat tona, ne përpiqemi të kapërcejmë pengesat e një njeriu që shpreh qëndrime dhe interpretime personale. Të gjithë brezat e rinj të vendit tonë kanë kërkuar dhe kërkojnë të bëjnë interpretimin se cilat janë vlerat tona që na karakterizojnë dhe na dallojnë nga vendet e tjera të rajonit. Interesa që janë në dobi jo vetëm në teatrin e brendshëm por edhe në arenën ndërkombëtare. Përcjellja e këtyre interesave kërkon përpjekje maksimale për krijimin e një klime të favorshme brenda dhe jashtë vendit.
Sepse vlerat ndërtojnë harmoni brenda shoqërisë tonë dhe të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit me vendet e tjera. Dhe pikërisht institucioni i Presidentit të Republikës, si autoritet kryesor që shërben si simbol i bashkimit të shoqërisë, do të duhej të jetë pikë referuese në përcaktimin dhe artikulimin e interesave të qytetarëve, mbështetur mbi legjitimitetin dhe baraspeshën që ofron procesi i njohjes dhe respektimit të këtij autoriteti. Jam njohur edhe më herët me termin e kryetarit të shtetit, pikërisht në lëndën “Mbrotja”, (në fakultetin tim të dytë Pedagogji ) se Presidenti i Republikës është drejtuesi i një prej institucioneve më të rëndësishme kushtetuese të vendit; Presidenti i Republikës është Kreu i Shtetit ; Presidenti i Republikës përcjell në mënyrë zyrtare politikën e jashtme të shtetit që miratohet nga Kuvendi i Maqedonisë dhe zbatohet nga qeveria, por është zëri i Presidentit të Republikës që, në bazë të Kushtetutës, që e paraqet këtë politikë të jashtme të shtetit; Presidenti i Republikës është një aktor i rëndësishëm në përbërjen e institucioneve të larta të vendit, siç janë: Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese. Natyrisht, këtë e bën në bashkëpunim të ngushtë me Kuvendin. Presidenti i Republikës është zgjedhur për një mandat pesëvjeçar. Presidenti i Republikës i ka të përcaktuara qartazi detyrat, të drejtat dhe detyrimet e tij në Kushtetutën e vendit. Nëse Presidenti i Republikës do të veproj në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës, pa dyshim, mban përgjegjësinë e tij institucionale dhe ligjore.
Besoj se duhet të vazhdojë të ofrojë Presidenti i Republikës, bashkëpunimin, mbi të gjitha, mirëbesimi midis institucioneve të vendit. Kjo është në bazën e themelit të punës së vetë institucionit në mënyrë individuale, por edhe në mënyrë kolektive si mënyrë bashkëpunuese sepse institucionet vërtet kanë pozicionet e tyre të veçanta, por fundja, të gjitha janë prodhim i shoqërisë, dhe në shërbim të tyre dhe të shtetit, prandaj duhet të funksionojnë në harmoni me qëllim që të komplementojnë njëri-tjetrin në përmbushjen e të gjitha detyrave të përcaktuara. Në çastin që funksioni, detyra dhe përgjegjësia janë të qarta për tu ushtruar, dhe këtë besim disa vite ia kemi dhënë z.Ivanov, ato duhet të nënshtrohen në çastin më të parë të mundshëm. Ushtrimi i detyrave kushtetuese duhet të lidhet me detyrimet kushtetuese dhe kriteret ligjore e jo me interesat personale. Presidenti i Republikës nëse ka qëndrimin strikt, kjo reflekton tek opinioni publik. Kjo nuk do të thotë që Presidenti të bëjë të paqenën, gjithsesi, janë institucionet ato që e ndihmojnë Presidentin e Republikës.
Presidenti i Republikës duhet ti ndjek të gjitha hapat ligjore dhe kushtetuese që e lidhin atë me një detyrë kaq të rëndësishme. Supozojmë se ka arsye kushtetuese që të refuzojë Ligjin për gjuhën (shqipe) ose marrëveshjen Shkup – Athinë… Atëherë me arsye kushtetuese mund të refuzojë për të dekretuar ndonjë emër të caktuar si bie fjala posti (këshilltar) mbi ministrat e vendit, që është në dëm të ministrave shqiptar. Kemi parë që një President i Republikës, të mbajë anë nga kalimi i pushtetit nga e djathta në të majtë ose e kundërta. Por, ne të gjithë e dimë se Presidenti i Republikës, nuk mund të dalë jashtë tagrit të tij kushtetues.
Siç edhe është detyra e tij kushtetuese, që fillon me thirrjen e Kuvendit, me dekretimin e Kryeministrit, të qeverisë, betimin e ministrave dhe në një vijë me këta shtytjen e institucioeve të pavarura, për të përmbushur detyrat e tyre me të njejtin përgjegjësi si në çdo vend, në kohë normale të qeverisjes. Presidenti i sotshëm, por edhe ai i së nesërmes duhet të dijë që, bashkëpunimi ndërmjet institucioneve (Kuvendit) është një element i rëndësishëm për funksionimin e tyre, për imazhin e vendit edhe për përmbushjen e detyrave të gjithsecilit. (koha.mk)