Poeti dhe studiuesi ynë i shquar, Agim Vinca, do të marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë, i cili mbahet në qytetin Ramallah të Palestinës, nga data 15 deri më 19 gusht të këtij viti. Një mbrëmje e këtij festivali mbahet në Jerusalem, në pjesën e vjetër të qytetit. Poezitë e Agim Vincës janë përkthyer në arabisht nga poeti i njohur me origjinë shqiptare që jeton në Siri, Abdylatif Arnauti dhe nga përkthyesi e studiuesi i njohur Muhamed Mufaku. Vite më parë Agim Vinca është prezantuar në “Antologjinë e poezisë shqipe të Kosovës”, të hartuar nga poeti Abdylatif Arnauti (me 9 poezi), botuar në Damask në vitin 2003.Vargjet e Agim Vincës janë përkthyer edhe në gjuhën hebraike dhe janë botuar në revistën “Iton77”, që del në Tel Aviv.Agim Vinca është i vetmi poet nga hapësira shqiptare i ftuar në këtë festival, ku poetët i thonë vargjet e tyre në origjinal, në gjuhën amtare, kurse të njëjtat lexohen të përkthyera në gjuhën arabe nga aktorët vendës, të shoqëruara edhe me muzikë. Ky është kontakti i parë i gjallë i poezisë shqipe me publikun e këtij mjedisi.