Performanca nëpër festivale për të tashmë janë thjeshtë sfiduese pasi ka përjetuar emocione të jashtëzakonshme nëpër shumë prej tyre, e madje duke u shpallur fitues. Agim Poshka vjen këtë herë në një intervistë për InfraRed të gazetës KOHA duke folur mbi konkurrimin e tij në festivalin e fundvitit në RTVSH
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Keni publikuar së fundmi këngën më të re me të cilën konkurroni në festivalin e fundvitit në RTVSH, na flisni pak më shumë rreth realizimit të këtij projekti?
Kënga është një reflektim i një periudhe të tranzicionit të stërzgjatur që neve po kalojmë si shqiptarë. Është tipike që krijuesit të merren me tema me universale si dashuria etj, megjithatë për mua kënga “Vendi im” është një bashkëbisedim që unë kam me vendin tim ku i shpreh shqetësimin por edhe përuljen time.
Kur nata bie dhe yjet zhduket në errësirë,
E shpresë e fundit duket shumë larg,
Kur shiu të prish edhe ato pak ëndrra,
Ti më ngroh aty ,,o vendi im”.
KOHA: Teksti është i thellë dhe jeni shprehur se ka të bëj me një ndjenjë të jashtëzakonshme. Çfarë emocioni ju jep momenti kur interpretoni atë?
Ndjesia në interpretim është me e madhe këtë radhë, sepse kam shkruar edhe vargjet e kam dhënë uratën vendit tim duke i thënë që… ti më dhe jetë, guxim por edhe plot trishtim.
KOHA: Vini për të disatën herë në këtë festivali, pse vendosët që ta sprovoni veten sërish në një kompeticion muzikor?
Po e vërtetë është. Festivali i Tvsh është eventi më i madh muzikorë në botën shqiptare dhe është live. Nuk kam konkurruar që nga viti 2014 edhe se çmimin e parë në këtë event të madh e kam marrë në vitin 2002. Qëllimi nuk është çmimi, por për të sfiduar veten pas një pauze të gjatë muzikore duke jetuar me librat dhe akademinë.
KOHA: Cilat janë pritshmëritë në këtë festival?
Një javë të bukur në Tiranë midis muzikantëve më të mirë shqiptarë në orkestrën simfonike të Radio Televizionit Shqiptarë dhe miqve të mi kompozitorë që gjatë kohë nuk i kam takuar. Mbase duket shumë modeste por kjo është kënaqësia më e madhe e një feste të këngës në TVSH dhe jo çmimi
KOHA: Mendoni se do ju ndjek i njëjti fat si në kompeticione tjera ku edhe keni triumfuar?
Trimufi mund të defokusojë çdo krijues. Atë që çdo kompozitor duhet të bëj është që të komunikoj ndjenjat ndërmjet notave dhe vargjeve dhe pjesa tjetër është pastaj shoubiz, matematikë, lobim dhe në fund për neve nuk duhet të jetë shqetësues verdikti final.
KOHA: Keni dëgjuar këngët konkurruese, keni ndonjë favorit?
I dëgjova dhe ka mjaftë këngë të mira por do ja lëmë kohës për të vlerësuar cila këngë do i rezistoj më gjatë kohës dhe tregut.
KOHA: Si do të jetë performanca juaj nëse vazhdoni në finale?
Nuk kam ndonjë performancë speciale, bile nuk ka performancë fare. Kënga është me tematikë sociale dhe klishet e flamurëve dhe koreografive janë simbolika të harxhuara e të panevojshme që do shpërqendrojnë dëgjuesin nga kënga. Unë do jem vetëm në skenë dhe dua që publiku të dëgjojë këngën dhe jo të sheh atë.
KOHA: Po cilat janë projektet që keni punuar deri më tani apo jeni fokusuar pikërisht tek kënga e festivalit?
Kam prodhuar edhe një këngë të re sentimantale dhe është shoqëruar me klip të ri. Poashtu kam edhe disa projekte që do marrin formën pas pandemisë dhe midis tyre edhe një duet mjaftë dinamik.