Në editorialin e nesërm të gazetës KOHA, me titull “Agim Nuhiu, profili i një modeli jo të mirë”, redaktori përgjegjës Emin Azemi shkruan se “kuadrot që lojalitetin e kuptojnë si mjet për të mbijetuar në karrierë, nuk është mirë t’ua zënë vendin profesionistëve me dinjitet, të cilët nuk do të kenë nevojë asnjëherë ta përdorin partinë vetëm si gomë shpëtimi për të fshehur mungesën e ballafaqimit me problemet serioze”.
“Në gjithë këtë përshkrim karakterologjik të profilit të një zyrtari të lartë, ku do të kishim mundur ta vendosim, bie fjala, Agim Nuhiun, ministrin aktual të Punëve të Brendshme?
A ndodhë që ai është aty vetëm sa për të marrë rrogë dhe për t’u sjellë herë-herë si “jabanxhi” në shtëpi të vet, apo ka edhe ndonjë gajle (mision, pasion) më të madhe si zyrtar me përgjegjësi, fjala e të cilit duhet të jetë ligj. Faktet flasin se ai në të shumtën e rasteve është sjellë sikur të mos ishte drejtues i MPB-së.
Agim Nuhiu kështu u soll edhe pardje dhe dje, kur Policia speciale pengoi prokuroren kujdestare të Prokurorisë Themelore në Tetovë, Lejla Kadriu, që të zbatojë ekzekutimin e punimeve në ndërtimin e ujësjellësit në fshatin Siniçan. Çfarë mesazhi dërgon kjo arrogancë policore në Bruksel e Ëashington, ku Maqedonia e Veriut po pret me padurim të testohet në rrugëtimin e saj euro-atlantik?
Performanca e ministrit Agim Nuhiu ka qenë e diskutueshme edhe në disa raste. Mjafton të përmendim fazën e reformave në Agjencinë për Siguri Nacionale, me ç’rast opinioni publik (përmes gazetës sonë) u pat njoftuar për një varg shkeljesh që kishin bërë drejtuesit e kësaj Agjencie në selektimin joobjektiv e tepër tendencioz të kuadrove, duke lënë jashtë angazhimit edhe disa profesionistë të dëshmuar shqiptarë, në emër të disa vërejtjeve tepër banale e qesharake.
Edhe sot deri sa po i kujtojmë këto ndodhi, nuk kemi arritur ta kuptojmë se ku ka qenë gjatë gjithë asaj kohe , Agim Nuhiu, njeriu i dytë në Ministrinë e Brendshme?!”, shkruan mes tjerash Emin Azemi në editorialin që botohet në numrin nesërm të gazetës KOHA.