Agim Ademi s’e merr pagën e kryetarit, e dhuron për bamirësi

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, s’e merr pagën e kryetarit të Federatës, pasi që ka thënë se është në gjendje të mirë financiare dhe paratë që do të duhej t’i merrte do t’i jep për bamirësi.

I ftuar në emision sportiv “Favorit” në T7, sonte është presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, për të diskutuar për gjasat e Kosovës për kualifikim në EURO 2020, dyshimet për keqpërdorime me biletat e Kosovës, pozitën e tij si kryetar i FFK-së dhe gjendjen brenda Federatës. Që kur është emëruar në pozitën e kreut të FFK-së, Agim Ademi s’ka pranuar ta marrë pagën që i takon, pasi që tregon se është në gjendje të mirë financiare.

Pagat e tij shkojnë në një fond të Federatës që mund ta shfrytëzojnë futbollistët e rinj kur pësojnë lëndime dhe u duhen para për procesin rikuperues. Disa prej parave shkojnë edhe për bamirësi.

“Unë nuk e kam marrë asnjëherë rrogën në Federatë të Futbollit, tash e 20 vjet që jam. Nuk i marr as mëditjet e mia, që i marrin anëtarët e tjerë. Nuk po tregoj madhështi këtu, por unë futbollin e kam pasion”, deklaroi Ademi në emisionin “Favorit” në T7.

“Unë për futboll kam dhënë pare bashkë me shumë shokë. Më shumë e bëj për pasion, sesa për para sepse qëndroj mirë financiarisht”.

“Ajo pagë shkon në një fond që mbetet në Federatën e Futbollit të Kosovës, këtë punë do ta bëjë me shumë shpirt për të gjithë sportistët e rinj. Dashtë Zoti mos u dashtë, por në rast të ndonjë lëndimi, kushdo që s’ka mundësi, do t’ia mundësoj t’i përdor ato para. Nganjëherë edhe për ndihma të tjera”.