Shefja e Misionit Vëzhgues nga Bashkimi Evropian, për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, Viola von Cramon-Taubadel tha se misioni që ajo drejton është dëshmi se BE-ja do të mbështesë organizimin e zgjedhjeve transparente dhe gjithëpërfshirëse në Kosovë.
Me ftesë të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Bashkimi Evropian ka dërguar një mision për vëzhgim të zgjedhjeve (EOM) në Kosovë.
Shefja e këtij misioni, Viola von Cramon-Taubadel, anëtare e Parlamentit Evropian nga Gjermania, ka thënë se ky është misioni i pestë i dërguar nga BE-ja për vëzhgimin e zgjedhjeve në Kosovë nga viti 2013.
“Misioni ynë vëzhgon procesin zgjedhor para, gjatë dhe pas votimit më 6 tetor dhe reflekton angazhimin e vazhdueshëm të BE-së drejt mbështetjes së zgjedhjeve transparente dhe gjithëpërfshirëse në Kosovë”, tha Cramon-Taubadel.
Ekipi bazë prej 9 analistësh ka arritur në Prishtinë më 7 shtator, kurse 18 vëzhgues afatgjatë janë dërguar nëpër Kosovë më 15 shtator për të vëzhguar procesin në të gjitha 38 komunat.
Pjesa tjetër e ekipit do t’i bashkohet misionit pak para ditës së zgjedhjeve.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit në Kosovë janë rezultat i dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës.