Afrim Nevzadi: Natyra – motivi im i përjetshëm i fotografisë

Natyra, ky fascinacion që na rrethon të gjithëve dhe ideja që të konservohet në fotografi ishte dëshirë e përjetshme e imja, madje motivi im i përjetshëm është fusha, lumenjtë, liqenet, ujëvarat dhe çdo gjë tjetër dhurata që na e ka sjell dhe na e sjell e bukura natyrë.

Çfarë thotë për ju fotografia, cilat janë imazhet që shfaqen përmes saj?

Fotografia për mua flet gjithçka, sepse aty shfaqet çdo gjë që na rrethon, përmes fotografisë edhe bota e vdekur ngjallet, sepse ngjyrat (hijezimi, kombinimi dhe përzierja e tyre) i jep shpirt asaj, dhe na jep një art i vërtet. Me një fjalë në fotografi e “konservojmë” kohën dhe momentin. Koha jeton përgjithmonë në fotografi.

Advertisements

A përjeton të njejtën ndjesi sa herë që fotografon, apo varësisht asaj që të del para?

Çdo imazh që ballafaqohesh të jep ndjesinë e vet, pra një ndjesi ndryshe nga tjetra. Madje është pak sa interesante kjo gjë, sepse shpesh herë ndodh që brenda një foto të paraqiten dy ndjesi. Dhe këtë mund ta shihni në fotografit e mira.

A mban mend cila është njeriu i parë që të ka shtyrë që sot të bësh një punë të tillë?

Po, motivi apo inspirimi im më i madh për mua drejt kësaj rruge ka qenë babai im (tanimë i ndjerë). Ai që në atë kohë ka pëlqyer fotografinë, e konkretisht atë bardh e zi. Pra ka qenë një adhurues i madh i kësaj sfere.

Fotografia është një formë arti, sa përkrahet nga nivelet kulturore në Zvicër?

Fotografët gëzojnë privilegje të ndryshme, duke u nisur nga marrja e çmimeve e deri tek bonuset tjera.

Po njerëzit e rrethit tuaj, çfarë thonë, cili është personi që pa një pa dy ia tregon foton të parit ose pares?

Fatmirësisht kam një rreth me njerëz të mrekullueshëm, me të cilët e ndaj kënaqësinë e punës sime e që aspak nuk hezitojnë në dhënien e pëlqimit apo “kritikës” mbi punën time. Nuk kam një person të vetëm, kam një grup me persona të veçantë. Dhe falënderoj Zotin për këtë gjë.

Mali, bjeshka apo lumenj, liqene?

Që të gjitha pa përjashtim, nuk mund t`i veçoj. Natyra.

Për fotografinë ndahen çmime të ndryshme, a ke marr pjesë në ndonjë konkurs të tillë?

Kam marrë pjesë, por kam marrë në mënyrë indirekte, pra nuk kam konkurruar unë drejtpërdrejtë (sepse siç kam cekur edhe më herët, fotografimin e bëjë për hobi, sepse e kam pasion të thellë), por kam publikuar në platformën Instagram dhe nga aty më kanë kontaktuar se a mund ta marrin për konkurrim, ua kam lejuar patjetër, sepse është kënaqësi, nder dhe privilegj për mua kur puna ime pëlqehet nga njerëz të profileve të ndryshme, dhe nga aty jam informuar se kam marrë vende dhe çmime të ndryshme.

Vetëm në Cyrih kam marrë gjashtë herë vendin e parë, të dytin-tretin nuk e di as vet sa herë.

Faleminderit gjithë atyre… (Prointegra)