Afrika e Jugut sot kujton burrështetasin global Nelson Mandela meqë 30 vite më parë ai u lirua nga burgu pasi vuajti 27 vite për shkak të kundërshtimit të regjimit të aparteidit.
Presidenti Cyril Ramaphosa kujtoi se si 30 vite më parë turma të mëdha njerëzish u tubuan për të mirëpritur Mandela-n pas lirimit të tij.
“Populli festoi me shumë entuziazëm, jo vetëm sepse pas 27 vitesh një udhëheqës i madh i popullit tonë ishte përsëri mes nesh, por edhe sepse lirimi i tij ishte një moment përcaktues në marshimin tonë drejt demokracisë”, tha Ramaphosa në adresimin e tij para qytetarëve.
Ramaphosa tha se përderisa afrikano-jugorët shënojnë përvjetorin e lirimit të Mandela-s, ata ndajnë një qëllim të përbashkët për një Afrikë të Jugut të barabartë, të drejtë dhe të prosperuar, ku të gjithë përjetojnë një cilësi të përmiësuar të jetës dhe ku të gjithë mund të jenë në gjendje të realizojnë potencialin e tyre.
Ai tha se kujton një deklaratë që Mandela bëri në fjalimin e tij inaugurues kur u lirua më 11 shkurt të vitit 1990, duke kërkuar unitetin e të gjithë afrikanëve jugorë, pavarësisht racës.
“Nga shumë gjëra që ai tha përderisa qëndroi në ballkonin e Bashkisë së Cape Town atë ditë, ka një deklaratë që ka mbetur tek unë gjatë gjithë këtyre viteve… ’Nevoja për të bashkuar njerëzit e vendit tonë tani është po aq detyrë e rëndësishme siç ka qenë gjithmonë’ “, tha Ramaphosa.
Ai theksoi se deklarata e Mandela-s ishte e vërtetë në atë kohë dhe se mbetet e vërtetë edhe tre dekada më vonë.
Katër vite pas lirimit të tij, në vitin 1994, Mandela u bë presidenti i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike i Afrikës së Jugut.
Ai udhëhoqi vendin në krijimin e një grupi multi-racor. Ai u tërhoq në vitin 1999 pasi përfundoi mandatin, duke refuzuar të kandidojë për mandat të dytë.
Ish-luftëtari i vendosur kundër aparteidit, kryepeshkopit Emeritus Desmond Tutu dhe gruaja e tij, Lea, iu bashkuan afrikano-jugorëve në përkujtimin e Mandela-s.
“30 vite më parë, Nelson Mandela doli nga burgu për të shkëlqyer Afrikën e Jugut dhe botën me ngrohtësinë dhe vlerat e tij njerëzore”, tha në një deklaratë Fondacioni i Trashëgimisë Desmond & Leah Tutu.
Fondacioni “Nelson Mandela” po ashtu organizoi një ngjarje për të kujtuar ikonën globale jashtë Bashkisë së Cape Town, ku Mandela iu drejtua një turme 30 vite më parë nën temën “Nga liria në emancipim”.
I lindur në fshatin Mvezo në Cape-n Lindor, Mandela kaloi 27 vite burg për shkak se kundërshtoi regjimin e aparteidit. Ai iu bashkua Kongresit Kombëtar Afrikan në qeverisje të Afrikës së Jugut (ANC) në moshën 25-vjeçare, së bashku me mbështetësit besnikë dhe punëtor, të tillë si Walter Sisulu dhe Oliver Tambo.
Ajo që e dalloi personalitetin e tij ishte se ai nuk ushtroi hidhërim, egërsi apo hakmarrje kundër torturuesve të tij. Përkundrazi, ai zgjodhi pajtimin dhe faljen për të bashkuar të gjitha grupet racore në Afrikën e Jugut. Qasja dhe aftësia e tij udhëheqëse për t’i bashkuar të gjithë, i dhanë atij admirimin global dhe Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1993.
Mandela ndërroi jetë në vitin 2013 në moshën 95-vjeçare pasi vuante nga një infeksion i mushkërive.