Afganistan, mbi 3400 të vdekur gjatë sulmeve vitin e kaluar

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka njoftuar se në sulmet gjatë vitit të kaluar në Afganistan kanë humbur jetën mbi 3.400 persona, transmeton Anadolu Agency (AA). Në një deklaratë nga OKB-ja thuhet se në sulmet e kryera gjatë vitit 2017 në pjesë të ndryshme të shtetit kanë humbur jetën 3.438 persona ndërsa 7.015 të tjerë janë plagosur.

Në mesin e atyre që kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve 359 janë gra dhe 861 fëmijë. Në deklaratë thuhet se talebanët janë përgjegjës për 42 për qind të sulmeve dhe se prej 10 për qind të tyre përgjegjës është organizata terroriste DEASH, 16 për qind forcat qeveritare, 2 për qind forcat e huaja dhe pjesa tjetër nga grupet terroriste. Më tej thuhet se 23 civilë e kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve me predha mortaje nga trupat kufitare të Pakistanit.

Numri më i madh i vdekjeve civile ka ndodhur duke filluar nga kryeqyteti i Afganistanit, Kabul, pastaj në provincat Farah, Helmand, Kunduz dhe Uruzgan. Në sulmet ndaj objekteve fetare të organizatës terroriste DEASH në vitin 2017 ka një rritje prej 50 për qind dhe se numri i përleshjeve me organizatat terroriste është zvogëluar për 19 për qind. Gjithashtu bëhet e ditur se në krahasim me vitin 2016 ka një rritje prej 7 për qind në vdekjet civile.