Tymi që po i del kësaj afere, ende po e mbulon zjarrin që po fshihet kuluareve të politikës. Dikush dikë me çdo kusht po e kursen, kurse zënkat e nervozet kanë prekur edhe disa zonja nga PSP. Po të ishin shqiptarë gjithë këta përfaqësues të nëntokave oligarkike-politike, që moti do të kishim ndonjë vendim gjyqësor në bazë “ekspertizave të paanshme”
Nga Emin AZEMI
Një aferë që ende tani për tani nxjerr veç tym, ka filluar t’i ngjasojë telenovelës. Çdo ditë kemi personazhe të njëjtë, por nga fundi paraqitet ndonjë i ri. Rrëfimi nga episodi në episod përsëritet në pjesët hyrëse. Inteligjenca e publikut/shikuesit aq shumë përbuzet, ndërkohë që për pederizmat në haraçet e këtushme kanë filluar të ‘brengosen’ si tepër edhe mediat e Beogradit.
Tymi që po i del kësaj afere, ende po e mbulon zjarrin që po fshihet kuluareve të politikës. Dikush dikë me çdo kusht po e kursen, kurse zënkat e nervozet kanë prekur edhe disa zonja nga PSP. Të gjithë janë në pritje, por një përshtypje që fiton njeriu teksa e ndjek këtë aferë ka të bëjë me efikasitetin e sistemit të drejtësisë, i cili i ka dy kute në vendimmarrje. Po të ishin shqiptarë gjithë këta përfaqësues të nëntokave oligarkike-politike, që moti do të kishim ndonjë vendim gjyqësor në bazë “ekspertizave të paanshme”.
Janë arrestuar dy persona dhe ka dy javë që opinioni publik maltretohet me retorikë triviale që vjen nga institucionet e drejtësisë, por edhe nga ndonjë politikan. Kujt i nevojitet gjithë kjo dramë me subjekt të maskuar dhe me konflikt të kontrolluar?
Katica Janeva pritet të ballafaqohet me kolegen e vet nga një Prokurori tjetër, dhe ky teatralitet i ngjan burleskave që si qëllim ka dëfrimin e masave të lodhura pas punëve rraskapitëse. Te ne askush asgjë nuk punon, por të gjithë janë të lodhur nga pritja idiotike që po e ideon politika ditore, me taktikat e saja shumë të dëmshme për vet imazhin e shtetit, sidomos tash kur të gjithë janë sy e vesh të drejtuar nga Brukseli për datën e negociatave me BE-në.
Prokurorë që bëhen se janë të pavarur dhe në mbrëmje marrin detyra nga shefat e tyre të politikës, të akuzuar që peshojnë me faje aq sa ua cakton kandari i politikës së ditës dhe për të dyshuar kryesor që hungarizohen lirshëm rrugëve e plazheve, kjo është tabloja me ngjyra gri e realitetit tonë.
Shtypi serb, ndërkohë, është shumë aktiv në “razotrkivanje” të nëntokës së këtushme, thuajse ata e kanë kënaq me nëntokën e tyre. Tituj bombastik, faqe të mbushura me dëshmi nga ‘dora e parë’, porosi të tempuara – të gjitha këto së bashku përbëjnë fokusin e interesimit mediatik të Beogradit për Shkupin. Sa herë që Beogradi i mëshon fort një teme, kjo nënkupton edhe interesimin e politikës serbe për t’i kanalizuar temat e problematikat sipas ambicieve e agjendës së saj.
“Reketi” i këtushëm ka filluar të luftohet me “reketin” mediatik të shteteve të huaja. Valles i priu një medie italiane, kurse po e vazhdojnë tabloidët e Beogradit. Këta të fundit edhe informojnë edhe komentojnë, sepse këto media nuk dinë të informojnë paanshëm pa i fut hundët edhe në zonën gri të komentimit të njëanshëm.
Në fund, askush nuk do ta merr vesh se si u mbyll kjo aferë, sepse ata që e dirigjojnë sistemin e drejtësisë, do të ndajnë “drejtësi” në emër të gjykatësve dhe prokurorëve. Do të gjendet sërish një alibi për ta tejkaluar këtë situatë (lexo: për ta futur bërllokun ndër tepih). Në emër të procesit eurointegrues, duhet të harrohen të gjitha aferat e hapura nga mediat, do të thonë ata që i kanë shumë qejf arsyetimet.
Me pederizmat e këtushëm zor se do të mbetet dikush me barrë, por shumë kush do të abortoj në këtë aferë të ngjizur keq. (koha.mk)