Çanta me para e Den Donçevit, sotfueri dhe pasuria e Rashkovskit, dështimi me vaksinat e Filipçes, pasaportat për narko-bosët ku përmendet Spasovski… janë aferat që sprovojnë deklaratat për “luftë kundër korrupsionit” nga Zaevi dhe Qeveria. “Pushteti i LSDM-së në të ardhmen varet pikërisht nga zgjidhja gjyqësore e këtyre skandaleve”, thonë analistët
Xhenur ISENI
Shkup, 22 prill – Ish sekretari gjeneral i Qeverisë, Dragi Rashkovski po e kalon javën e parë në arrest shtëpiak pasi të premten e kaluar – gjykata vendosi t’ia shqiptojë këtë masë. Prokuroria e akuzoi për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin me furnizimin e softuerit, të cilën MPB me muaj nuk e kishte përdorur. Edhe pas arrestimit të tij, kryeministri Zoran Zaev mbeti në qëndrimin se furnizimi publik i softuerit ishte zbatuar në përputhje me ligjet dhe rregulloren për punën e Qeverisë. Një tjetër ish-bashkëpunëtorë i kryeministrit Zoran Zaev, Den Donçev, vitin e kaluar u ballafaqua me akuzat nëpër media në të cilën ishte publikuar një videoincizim në të cilën shihej se si nga një person – merr një shumë të madhe me para dhe i vendosë në torbë. Për ish-drejtorin e Fondit për Shëndetësi nuk ka informacione se çfarë po ndodhë, ndërsa lajmi i fundit nga ky muaj është se Antikorrupsioni e ka dënuar me 150 euro, sepse edhe përskaj vërtetimeve të tij se 3 milion denarët nga kompania australiane janë transferuar në mënyrë ligjore, nuk i ka paraqitur si ndryshim të gjendjes së pronës, përkatësisht në listën anketuese. Ndërsa në opinion shpeshherë përsëritet nga kryeministri dhe funksionarët tjerë shtetërorë se “askush nuk është i paprekshëm dhe se fjalën e fundit e kanë organet gjyqësore”.
Por, si do që të jetë, gjithë kjo do të ndikojë në rejtingun e Qeverisë, nëse rastet nuk hetohen deri në fund dhe nëse nuk kemi epilog përfundimtarë gjyqësorë për të njëjtat, thotë profesori universitar, Mersim Maksuti. “Gjithsesi lufta kundër korrupsionit, duhet të zhvillohet në radhë të parë në vetë oborrin qeveritar duke çuar në gjykimin dhe dënimin e të kapurve të dyshuar drejtë një epilogu përfundimtar gjyqësor të merituar, ashtu siç kërkon ligji dhe shteti juridik në një demokraci funksionale. Pushteti aktual është në sprovë para qytetarëve, që të vejë drejtësinë në vendin e saj, përderisa aq shumë ka trumbetuar, dhe perspektiva politike e saj do të varet në masë të madhe pikërisht nga kjo betejë!”, ka deklaruar për KOHA, Mersim Maksuti, profesor universitar.
Ministrat Venko Filipçe dhe Oliver Spasovski gjatë kësaj periudhe në opinion ishin të lidhur me afera. Gazeta italiane “La Verita” publikoi se komunikimi mes qeverisë dhe prodhuesit kinez të vaksinave “Sinofarm” është kryer përmes një kompanie fantome kineze “Starbi International”, e cila nuk ka pasur asnjë lidhje me veprimtari farmaceutike ose medicinale. Filipçe dhe kryeministri Zaev deklaruan se gjatë përpjekjeve për të siguruar vaksina kundër Covid-19 është bërë gjithçka, por asgjë në mënyrë joligjore.
Ndërsa partia opozitare VMRO-DPMNE ka shpalosur afera edhe për Ministrin Oliver Spasovski. Nga kjo parti vërtetuan se ministria e punëve të brendshme ka dhënë pasaporta narko bosëve të Ballkanit, ndërsa pas gjithë kësaj qëndrojnë Zoran Zaev dhe Oliver Spasovski. Kjo aferë të cilën opozita e quan “Mafia” është në procedurë pasi MPB kumtoi se bashkë me Ambasadën amerikane në Shkup kanë punuar në zbardhjen, ndërsa prokuroria ngriti padi kundër 11 personave, nga të cilët 10 janë akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe kompetencave, ndërsa një person për nxitje gjatë kryerjes së veprës së njëjtë penale. Afera e dytë që hapi VMRO-DPMNE është rasti i quajtur “Mafia2”. Bëhet fjalë për, aferë ku më shumë se 20 mijë persona kanë nga dy numra amë, ndërkohë të njëjtit figurojnë edhe në Listën zgjedhore në më shumë se një vendvotim. Nga VMRO pretendojnë se ky kriminalitet është përdorë për falsifikim zgjedhorë, ndërsa thonë se këto duplifikime të numrave amë, sigurisht kanë ndodhur pas vitit 2016, atëherë kur edhe u pastrua Lista zgjedhore. Nga MPB kumtuan se problemi është i vjetër 40 vite, se numri është shumë më i vogël dhe se deri më tani janë përpunuar numra amë të duplifikuar nga viti 1954 deri më 2019. Në Shkup, thonë nga MPB, nga 660 numra amë të duplifikuar, janë anuluar 580, ndërsa për 80 procedura është në rrjedhë.
Pretendimi i tretë i VMRO-DPMNE-së ka të bëjë me kapjen e marijuanës me vlerë prej afro 800 mijë euro. Këtë aksion MPB e zbatoi me Agjencinë amerikane DEA, në të janë arrestuar gjashtë persona, ndërsa opozita thotë se përsëri në gjithçka është e përfshirë familja e kryeministrit Zaev. Në të kaluarën, opozita e ka akuzuar kryeministrin Zaev edhe për aferën “Reket” në të cilën janë dënuar ish prokurorja speciale Katica Janeva dhe pronari i 1TV, Bojan Jovanovski. (koha.mk)