AFERAT DHE SKANDALET. Pushteti në strofull, opozita në ofensivë

Të gjitha ndodhitë pas zgjedhjeve presidenciale, si incizimet që i publikon El Çeka, rasti M-NAV dhe Rashkovski, humoristët rus që u tallën me kryeministrin, i forti Kurto Dudush… kanë ndikuar që Qeveria të gjendet në pozitë defensive, ndërsa opozita në pozitë ofensive. Kulmi është afera e fundit, e cila preku edhe PSP-në si institucion që ishte formuar për tejkalimin e krizës së madhe politike, ndërkohë që e njëjta bëhet shkak për futjen e vendit në krizë të re politike

Destan JONUZI

Shkup, 19 korrik – Afera dhe skandale në të cilat janë përfshirë njerëz të elitës politike, gjyqësorit, medias, estradës etj., për muaj të tërë kanë tronditur Qeverinë e kryeministrit Zaev, e cila erdhi në pushtet me premtimin se do të jetë “Reformatore”. Krahas këtyre ndodhive, vendi ka ngecje edhe në procesin euro-integrues, zhvillim ekonomik e social etj, shkruan gazeta KOHA.

Skandali i fundit që ngriti në peshë të gjithë, edhe pushtetin, opozitën, qytetarët e ndërkombëtarë ishte skandali “Shantazhi”, në të cilin një grup njerëzish të shoqëruar në një rrjet kriminal, kanë shantazhuar afaristë me qëllim të përfitimeve materiale. Ekzistojnë dyshime serioze se në këtë rast është e përfshirë edhe “koka” e Prokurorisë Speciale Publike (PSP), Katica Janeva. Përveç Boki 13 si akuzuar i parë dhe afaristit Zoran Milevski si i akuzuar i dytë, të cilët janë në paraburgim, sipas raportimeve të mediave, në mënyrë të drejtpërdrejt janë të përfshirë edhe njerëz të politikës nga pushteti e që janë nga radhët e partisë LSDM. Dy anëtarë të kësaj partie që kanë qenë edhe pjesë e ekzekutivit, e që pretendohet se janë pjesë e rrjetit të Boki 13 në shantazh, përshkruhen me nofkat Kiki dhe Friki.

RASHKOVSKI DHE TENDERI 7 MILIONË EURO

Para se të shpërthente ky skandal i madh, në opinion u paraqitën edhe audio-incizimet mes kryeministrit Zoran Zaev dhe dy humoristëve rus, të cilët ishin prezantuar rrejshëm si presidenti i Ukrainës, Poroshenko dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg, ndërsa Zaevi kishte besuar për gati një vit se po flet me dy zyrtarë të vërtet, duke shkëmbyer me to edhe informacione shumë serioze.

Para skandalit me “Poroshenkon” dhe “Stoltenbergun”, ishte hapur edhe një skandal tjetër, por kësaj radhe skandali kishte të bënë me 7 milionë euro, ndërsa i përfshirë ishte sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, njeriu i besuar i kryeministrit, Dragi Rashkovski. Në bisedat e përgjuara, dëgjohet se si Rashkovski kalkulon me mënyrën dhe procedurën e zgjedhjes së kompanisë italiane “Leondardo” për furnizim publik të Shoqatës Aksionare për kontroll të Aviacionit Civil “M-NAV”. Në përgjimet e publikuara, Rashkovski përdorte edhe fjalë vulgare ndaj disa vendeve dhe popujve tjerë. Po në këtë kohë u përhapë edhe një audio-incizim ku dëgjohet kryetari i Komunës së Shuto Orizares, Kurto Dudush, se si rreh dhe keqtrajton një qytetar në zyrën e tij. Për këtë dhe për shumë skandale politike dhe gjyqësore, nuk ka asnjë epilog gjyqësor, por as përgjegjësi morale.

Ndërkohë që po shtohet numri i aferave, ka ngecje në procesin eurointegrues të vendit, i cili ishte dhe argumenti kryesor i Qeverisë kur vendosi ta nënshkruajë marrëveshjen me Greqinë. Nga ana tjetër, diplomatë evropian theksojnë qartazi se pavarësisht marrëveshjeve me fqinjët dhe marrëveshjen me Greqinë, reformat po ngecin dhe nuk lëvizin nga vendi. A zbehin besueshmërinë e qytetarëve ndaj Qeverisë këto afera e skandale? Sa dobësohet pushteti i Zaevit dhe Ahmetit dhe forcohet opozita e Mickoskit, Selës e Kasamit?

KUR SPECIALJA KA GISHT NË AFERA

Njohësit e zhvillimeve politike në vend thonë se aferat dhe skandalet e njëpasnjëshme jo vetëm se dobësojnë besueshmërinë ndaj Qeverisë dhe institucioneve gjyqësore, por edhe fusin vendin në krizë politike. “Të gjitha ndodhitë pas zgjedhjeve presidenciale, si incizimet që i publikon El Çeka, rasti M-NAV dhe Rashkoski, humoristët rus që u tallën me kryeministrin, kanë ndikuar që Qeveria të gjendet në pozitë defensive, ndërsa nga ana tjetër – krijuan mundësi për veprim më ofensivë të opozitës. Kulmi është afera e fundit, e cila preku edhe PSP-në, si institucion i cili ishte formuar për tejkalimin e krizës së madhe politike, ndërkohë që e njëjta bëhet shkak për futjen e vendit në krizë politike. Për shkak të kësaj, kjo aferë do të ndikoj edhe në besueshmërinë e qytetarëve ndaj partive në pushtet, por gjasat janë të vogla që nga kjo të përfitojë shumë opozita, e cila gjatë gjithë kësaj kohe e ngadalësonte punën e PSP-së, jo për shkak të dyshimit se Janava është e përfshirë në Shtantazhi’, por që të pamundësojë ndjekjen penale ndaj ish-funksionarëve të VMRO-DPMNE-së, duke përfshirë edhe ish-kryeministrin Nikolla Gruevski”, deklaroi për gazetën KOHA, Aleksandra Micoska Mitevska, njohëse e çështjeve politike.

Ajo potencon se duke u nisur nga ky aspekt, në këtë rast zgjidhja duhet të kërkohet në zgjedhje të shpejta të parakohshme parlamentare, por sipas saj, nuk përjashtohet mundësia që ato të tregojnë apati edhe më të madhe të votuesve në raport me daljen krahasuar me zgjedhjet e fundit presidenciale. Profesoresha universitare, Arta Bilalli-Zendeli, vlerëson se do të jetë shumë zhgënjyese për qytetarët nëse dyshimet për përfshirjen e personave të caktuar në këto afera dhe skandale rezultojnë si të vërteta.

“Është mirë që afera ‘Shantazhi’ u dekonspirua dhe opinioni u njoftua në masë të caktuar me të. Por, do të jetë shumë zhgënjyese nëse dyshimet për përfshirjen e personave të caktuar, do të rezultojnë të vërteta. Kjo aferë është shumë serioze dhe mbase mbi veprat të cilat duhej t’i ndjekë vetë PSP-ja. LSDM erdhi në pushtet duke premtuar reformim të plotë, citoj ‘rizgjedhje të të gjithë gjykatësve’, por një gjë të tillë as nuk e nisi. Është e vërtetë se disa ndryshime të caktuara janë bërë, por ndryshimet e premtuara rrënjësore nuk kanë ndodhur. Në këtë drejtim, duke pasur parasysh nivelin e pritshmërive, mendoj se qytetarët dita-ditës po zhgënjehen”, deklaroi për gazetën KOHA, Bilalli-Zendeli. Sipas saj, zhvillimet e fundit janë udhërrëfyesi më i saktë se procesi i veting-ut të mirëfilltë është i pashmangshëm.

Ndryshe, një nga shtyllat më kryesore, në bazë të së cilës Brukseli do ta vlerësojë Shkupin lidhur me caktimin e datës për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE është përcaktimi i statusit të Prokurorisë Speciale Publike, mandati i së cilës përfundon në muajin shtator. Prokuroria Speciale Publike u formua më 2015 kishte për detyrë të hetojë aferën e përgjimeve, që ishte publikuar në shkurt të po atij viti nga lideri i atëhershëm i opozitës, Zoran Zaev, tash kryeministër i vendit. Gjatë kësaj periudhe, Prokuroria Speciale ka ngritur 17 padi penale kundër 94 personave, përfshirë edhe ndaj ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, i arratisur në Hungari, për t’i ikur vuajtjes së dënimit prej dy vjet burgim. Megjithatë, për më shumë se vite, kjo prokurori përfundoi me vetëm një të dënuar të plotëfuqishëm dhe me shumë zyrtarë të lirë në ish-pushtetit. (koha.mk)