Nga Agjencia e Turizmit thonë se nevojitet edhe një angazhim më i madh në nivel lokal dhe rajonal si dhe më shumë investime me qëllim të rritjes së mëtejshme të numrit të turistëve por edhe bujtjeve që sjellin më shumë deviza në arkën e shtetit
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 19 nëntor – Maqedonia është afër arritjes së qëllimit të vendosur për sivjet, që të kemi 2.6 milionë bujtje. Vetëm në periudhën janar-shtator, vendin e kanë vizituar mbi 780 mijë turistë që kanë realizuar 2.450.065 bujtje. Njëherësh janë realizuar nga bujtjet vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit ku nuk përfshihet korriku dhe gushti si dy muajt kryesor, mbi 184 milionë euro apo 20 për qind më shumë se në vitin 2019, para pandemisë.
Nga Agjencia e Turizmit thonë se nevojitet edhe një angazhim më i madh në nivel lokal dhe rajonal si dhe më shumë investime me qëllim të rritjes së mëtejshme të numrit të turistëve, por edhe bujtjeve që sjellin më shumë deviza në arkën e shtetit. Nga Agjencia shtojnë se vendi posedon potencial për zhvillimin e destinacioneve alternative, përskaj liqenit të Ohrit, ku nevojiten edhe investime. Njëherësh vlerësojnë se nevojitet të mendohet në suaza afatgjate, ose nevojitet një strategji afatgjate në turizëm ku do të integrohen disa nga fazat e tij dhe do të jetë e nevojshme të tregohet kush, çfarë, ku, dhe si do të punojë. “Turizmi si fushë veprimi i tij depërton në 23 degë ekonomike, dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë apo indirekte çdo i pesti deri në çdo i shtati punësim në ekonominë e Maqedonisë është në sektorin e turizmit dhe hotelerisë. Nëse shohim në mënyrë gjithëpërfshirëse 52-55 për qind e totalit të shërbimit në vendin tonë është krijuar në sektorin e hotelerisë dhe gastronomisë, që duhet të shikohet nga kushdo që nuk e sheh turizmin si një nga pikat e forta të ekonomisë vendore”, vlerëson numri një i Agjencisë së Turizmit, Ljupço Janevski. Sipas tij, nevojitet miratimi i ofertës së përgjithshme turistike, tërheqja e investimeve të reja dhe promovimi i Maqedonisë së Veriut si destinacion tërheqës turistik, që është i mundur vetëm me zhvillim të balancuar turistik në të gjitha rajonet në të gjithë vendin. Për më tepër nevojitet që edhe komunat të punojnë edhe në nivel rajonal për të sjellë më shumë investim në turizëm që do të kontribuojë edhe për rritjen ekonomike në shtet si dhe për zhvillimin e barabartë rajonal.
Nga Agjencia e Turizmit thonë se shifrat flasin se vendi është destinacion turistik për të katër sezonet.
Numri i turistëve në shtator 2022 është 103.787, nga të cilët 32.9 për qind janë turistë vendas, dhe 67.1 për qind janë turistë të huaj. Numri i fjetjeve në shtator 2022 është 221.927, nga të cilat 36.9 për qind janë nga turistë vendas, dhe 63.1 për qind nga turistë të huaj.
Në periudhën janar – shtator 2022, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, numri i turistëve është rritur me 37 për qind dhe atë si vijon: turistët vendas janë rritur me 4.3 për qind, dhe turistët e huaj janë rritur me 88.2 për qind. Në periudhën janar – shtator 2022, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, numri i fjetjeve është rritur me 21.3 për qind, përkatësisht: turistët vendas janë rritur me 2.4 për qind, dhe turistët e huaj janë rritur me 76.2 për qind. Në nëntë muajt e parë të vitit, nga totali i turistëve, 362.807 kanë qenë vendor dhe 418.823 kanë qenë të huaj. Turistët vendor kanë realizuar 912.001 fjetje, përderisa ato të huaj kanë realizuar 1.538.064 fjetje. Në muajt korrik dhe gusht apo në sezonin kryesore më së shumti turistë ka pasur nga Turqia, Serbia dhe Polonia. (koha.mk)