Shkup, 9 dhjetor – Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ka përsëritur idenë e presidentit konsensual, ndërsa është shprehur se, megjithëse nuk e ka diskutuar akoma me LSDM-në e Zoran Zaevit, vendi nuk është larg idesë për një president të pranueshëm nga të gjithë, shkruan gazeta KOHA.
“Mendoj se nuk jemi larg idesë se vendit i duhet një kryetar konsensual, një kryetar i harmonizuar, por ende nuk kemi biseduar për detajet dhe mendoj se në të ardhmen, pas përfundimit të këtyre proceseve të mëdha që i kemi, do të mund të bisedojmë për këtë temë, por ne dinjitetshëm i qëndrojmë këtij parimi për të cilin jo njëherë por disa herë jemi deklaruar se për të mirën e vendit, në dobi të vendit, do të ishte nëse do të kishim një figurë që na bashkon dhe jo që na ndanë”, është shprehur Ahmeti në intervistë për Radio Evropa e Lirë.
Duke e komentuar ankesën e fundit të televizionit Telma, rezultatet e së cilës kanë treguar se BDI ka thuajse rejtingun e njëjtë si LSDM tek elektorati shqiptar, Ahmeti ka thënë se BDI ka Integrim ka legjitimitetin dhe mbështetjen më të madhe të shqiptarëve të Republikës së Maqedonisë.
“E tani nuk kisha dashur të ndërhyjë, as të spekuloj, as të komentoj anketat, sepse anketat duhet t’i komentojnë vet shtëpitë që i bëjnë ato anketa, por një dihet se Bashkimi Demokratik për Integrim ka legjitimitetin dhe mbështetjen më të madhe të shqiptarëve të Republikës së Maqedonisë”.