Uashington, 18 tetor – Me rreth 80 milionë euro Banka Evropiane e Investimeve (BEI) do të hyjë në financimin e stacionit filtrues për ujëra fekale në Shkup. Nga kjo shumë rreth 10 milionë do të jenë grant-mjete nga BEI. Me projektin do të ndërtohet edhe stacion i operimit për trajtim të ujërave fekale, që do të shërbejë 650.000 banorë nga qyteti i Shkupit.
Financimi i këtij projekti të madh infrastrukturor dhe disa projekte të tjera të ardhshme janë diskutuar në takimin e delegacionit të kryesuar nga ministrja e Financave Nina Angellovska dhe guvernatorja e Bankës Popullore Anita Angellovska-Bezhoska me nënkryetarin e BEI, Endru Mekdauel, gjatë Takimeve vjetore të grupacionit Banka Botërore (BB) dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), që po mbahen në Uashington.
Ministrja e Financave Angellovska, siç kumtojnë nga Ministria e Financave, theksoi se nga BEI-ja është partner i përkushtuar në zhvillimin e vendit, me portfolio investuese prej 185 milionë eurove në sektorin publik.
Ajo theksoi se BEI investon në projekte të cilat e përshpejtojnë rritjen ekonomike në vend, përmes mbështetjes në sektorin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, por edhe investim në projekte të mëdha infrastrukturore.
Vlera totale e Projektit për ndërtimin e Stacionit filtrues Shkup është 136 milionë euro, prej të cilave pjesa tjetër do të sigurohen nga Banka Botërore për Rinovim dhe Zhvillim (BERZH). Pritet që marrëveshjet me institucionet ndërkombëtare financiare për financimin e Stacionit filtrues për ujëra fekale në Shkup të nënshkruhen deri në fund të vitit.
Në takim ishte biseduar edhe për aprovimin e 50 milionë eurove shtesë për Projektin për furnizim me ujë dhe menaxhimin e ujërave fekale në komunat në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si rezultat i zbatimit të suksesshëm të projektit rrjedhës, vlera e të cilit është 50 milionë euro.
Nga ana e BEI është shprehur gatishmëri për financimin e seksionit të tretë të hekurudhës në korridorin VIII, gjegjësisht nga Kriva Pallanka deri në Deve Bair. Seksioni është në gjatësi prej 23,4 kilometra, ndërsa në financimin e tij përveç BEI do të merrnin pjesë edhe BERZH, ndërsa gjithashtu do të përdoreshin edhe mjete nga IPA fondet.
Nga ana e Mekdaul është shprehur kënaqësi nga realizimi i linjës kreditore për ndërmarrje të vogla dhe të mesme në vlerë prej 100 milionë euro, prej së cilës janë tërhequr 44 milionë euro kredi të lira. (koha.mk)