Laura PAPRANIKU
Shkup, 26 prill – Të premten është afati i fundit i paraqitjes së kandidatëve për dhënien e provimit profesional për mësimdhënës dhe bashkëpunëtorë shkollash, i domosdoshëm për transformimin e vendeve të punës nga të angazhuar me afat të caktuar kohor në të punësuar me marrëdhënie të rregullt pune, respektivisht me afat të pa caktuar kohor, shkruan gazeta KOHA.
Aplikimi për paraqitjen e provimeve në afatin pranveror, ka nisur në datën 19 dhe do të mbyllet më 28 prill. Arsimi parauniversitar e nisi vitin shkollor me mbi 3300 mësimdhënës të cilët nuk e kanë të rregulluar ende marrëdhënien e tyre të punës. Pjesa më e madhe tyre, janë mësues dhe arsimtarët të shkollave fillore. Në përfundim të vitit të kaluar shkollor (2015/2016), përcjell KOHA, në arsimin fillor janë evidentuar 17.791 mësimdhënës prej të cilëve 15.520 me orar të plotë pune.
Sipas këtyre të dhënave të cilat i ka publikuar Entin Shtetëror i Statistikave, i bie që 2271 mësimdhënës në arsimin fillor të jenë me orar jo të plotë pune. Kushti i parë për të siguruar vendim pune, është që kandidati të ketë fond të plotë të orëve në një shkollë. Në arsimin e mesëm, në përfundim të vitit të kaluar shkollor ishin gjithsej 7289 profesorë, prej të cilëve 6234 me orar të plotë pune dhe 1055 me orar jo të plotë. E thënë me përqindje, në arsimin fillor pjesa e mësimdhënësve me status jo të rregulluar pune përfshin gati 12.8 për qind të numrit të përgjithshëm të mësimdhënësve të angazhuar në këtë nvel shkollimi, ndërsa në arsimin e mesëm 14.5 për qind. Procedura për transformimin e vendeve të punës për mësimdhënësit dhe bashkëpunëtorëve të shkollave fillore dhe të mesme nuk nënkupton zgjidhjen problemit për 3326 kandidatët e mundshëm. Për të kaluar nga i angazhuar me afat të caktuar kohor në i punësuar më afat të pa caktuar duhen plotësuar një sërë kushtesh dhe kërkesash ligjore. Kandidatët pra duhet fillimisht të paraqesin vërtetim se kanë përfunduar stazhin një vjeçar të praktikantit në shkollë, me atë që të jetë shënuar saktësisht periudha kur është realizuar stazhi i praktikantit si dhe të vërtetuar me numër arkivi. Kandidatët për dhënien e provimit profesional duhet gjithashtu të kenë mendim me shkrim nga mentori për punën gjatë realizimit të praktikës , të vërtetuar gjithashtu me numër arkivi të shkollës ku është realizuar stazhi, si dhe mendim nga organi më i lartë profesional i shkollës ku kandidati ka qenë i punësuar në procesin edukativ- arsimor. I domosdoshëm është gjithashtu edhe punim me shkrim, tip hulumtimi që kandidati duhet ta ketë realizuar gjet kohës së stazhit. I njëjti duhet të dorëzohet në dy ekzemplarë. Nëse kandidati nuk është maqedonas, përveç se në gjuhën e në të cilën e ka realizuar stazhin, duhet të dorëzojë edhe përkthimin në gjuhën maqedonase. Dokumente tjera të nevojshme janë raportet nga Fondi Pensional, kopje të diplomës ose certifikatës që verifikon përfundimin e arsimimit përkatës si dhe të certifikatës për dhënien e provimeve të pedagogjisë, psikologjisë dhe metodikave të mësimit në universitet të akredituar. Kandidatët për mësimdhënës në shkollat fillore dhe të mesme, përveç tjerash, duhet të posedojnë edhe vërtetimin se janë personalitete të afta psiqikisht për të punuar me nxënës. Në bazë të ndryshmeve që u bënë para dy vite në Ligjin për arsim fillor dhe të mesëm, raporton KOHA, ata duhet t’i nënshtrohen testit psikologjik, përkatësisht vlerësimit të karakteristikave dhe personalitetit të tyre. Licenca për këtë i është dhënë Qendrës për gjuhë të huaja, kurse përgatitore dhe trajnime “FLUENT”.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara