Tiranë, 16 nëntor 2018 (MIA) – Ditën e sotme është afati i fundit që presidenti i Shqipërisë Ilir Meta të dekretojë Sandër Lleshin ministër të Punëve të Brendshme të Shqipërisë.
Lidhur me këtë, Meta në një prononcim të shkurtër për gazetarë tha se deri sot në darkë ka ende kohë.
Kreu i shtetit shqiptar duhet të vendosë këtë të premte nëse do të dekretojë apo jo propozimin e kryeministrit Edi Rama për pasuesin e Fatmir Xhafajt. Një javë më parë kryeministri Edi Rama i ridërgoi presidentit emrin e Sandër Lleshit, pasi më herët Meta kishte refuzuar ta dekretonte pasi nuk kishte krijuar ende bindjen e plotë.
Një ditë më parë, Meta, tha se e njeh shumë mirë Kushtetutën e vendit në lidhje me dekretimin e ministrave dhe asnjë lloj presioni nuk mund të ndikojë tek ai për të shkelur Kushtetutën.
“Për dekretin. Unë nuk jam përfshirë në një deklaratë të tillë dhe asnjë polemikë. Jam President për të respektuar i pari Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Nuk ka asnjë presion që mund të ndikojë tek unë për të cenuar Kushtetutën dhe sikurse ju e dini, jam shprehur edhe publikisht për të informuar Kuvendin, në rast se kuvendi kërkon sqarime. Kam takuar edhe kryetarin e Kuvendit”, tha Meta.
Aktualisht, Sandër Lleshaj është i komanduar si ministër i Brendshëm i Shqipërisë, pas dorëheqjes së Fatmir Xhafajt.