Tetovë, 22 shtator – Në Universitetin në Tetovë prej sot po zhvillohet afati i tretë për paraqitje të studentëve të rinj për vitin mësimor 2020/2021. Të interesuarit dokumentet e veta mund t’i sjellin në Universitet deri të premten më 25 shtator.
Në të gjitha programet në të gjithë 13 fakultetet tona, ku ka vende të lira, mund të aplikohet për studim. Kandidatët e interesuar të cilët dëshirojnë studimet e tyre t’i vazhdojnë në Universitetin në Tetovë, së pari duhet ta plotësojnë formularin përmes Ueb faqes në Internet: http://www.unite.edu.mk/apply (Reshitrimet 2020/2021), me të dhëna relevante dhe sipas udhëzimeve të kërkuara, potencojnë nga Universiteti.
Krahas kësaj, kandidatët duhet t’i posedojnë diplomat origjinale nga shkolla e mesme, ekstraktin nga libri amë, vërtetim për shtetësi, si dhe dëshmi për taksa të paguara administrative.
Nga zyra për informim thonë se me tre afatet do të përmbushen të gjitha pritjet e Universitetit të Tetovës për numrin e studentëve të paraparë në këtë vit akademik.