Së bashku me lehtësimet e targetuara tatimore, nga Lidhja e Odave Ekonomike kërkojnë edhe një aksion të koordinuar dhe pako masash që do të zbusin ndikimin negativ të drejtpërdrejtë nga rritja e çmimeve
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 20 nëntor – Rritja e çmimeve të energjenseve, pasojat e krizës së shkaktuar nga pandemia, rritje e përgjithshme e çmimeve, kriza energjetike, e kështu me radhë kanë shkaktuar shqetësime të mëdha tek komuniteti i biznesit. Nga Lidhja e Odave Ekonomike thonë e sfida e fundit është ajo e energjisë, për shkak se një krizë e tillë po dëmton kompanitë në aspektin e profitit , e ul konkurrencë e tyre si dhe shkakton probleme me likuditetin apo disponimin me para të gatshme. Nga kjo shoqatë e biznesit kërkojnë nga qeveria, ndërmarrjen e masave të shpejta dhe urgjente për të mbështetur biznesin dhe ndërmarrjet. Së bashku me lehtësimet e targetuara tatimore, kërkohet edhe një aksion i koordinuar dhe pako masash që do të zbusin ndikimin negativ të drejtpërdrejtë nga rritja e çmimeve dhe do të rrisë në mënyrë shtesë edhe qëndrueshmërinë ndaj tronditjeve në ardhje të çmimeve.
“Nevojitet intervenimi tek akcizat, TVSH, dhe kompensimet shtesë që e rrisin çmimin e karburanteve dhe paraqesin 46 për qind të kompensimeve ndaj shtetit. Kjo do të neutralizojë ndikimin negative që kanë çmimet e shtrenjtuara të derivateve ndaj shtrenjtimeve të përgjithshme. Në sektorin e energjisë kërkohen masa sistemore dhe nxitja e investimeve, me lehtësimin e procedurave për të fituar lejet për panelet diellore që do të vendosen në kulmet e objekteve industriale si dhe për elektrana solare”, thonë nga Lidhja e Odave Ekonomike. Nevojitet edhe ndryshimi i Ligjit për përkrahje financiare të investimeve me qëllim që edhe investimet në burime të rinovueshme të energjisë të përfitojnë mbështetje nga shteti.
Nga Oda ekonomike e Maqedonisë thonë se janë të angazhuar në mënyrë aktive në zgjidhjen e problemit me energjinë në vend. “Është e pritshme që bizneset të bashkohen për blerjen e energjisë elektrike në vitin e ardhshëm me qëllim që të sigurohet rryma për tërë vitin 2022 me një çmim fiks që do ta paguajmë që përpara, me qëllim që të sigurojmë sasitë e nevojshme dhe të përgatitur të presim fillimin e vitit”, thotë kryetari i Odës ekonomike të Maqedonisë, Branko Azeski. Sipas tij, ekziston mundësia që edhe afaristët të inkuadrohen në aktivitetet që ndërmerr shteti për të rritur nivelin e prodhimtarisë së energjisë elektrike, ndërsa ekziston mundësia për të ndërmarrë edhe hapa të tjera në këtë drejtim në kuadër të odave ekonomike të rajonit.
Ndryshe, qeveria me shpalljen e krizës energjetike më 9 nëntor , për 30 ditë ka transferuar 65 milion euro për nevojat e kompanisë së shtetit për transmetimin e rrymës dhe për ElektroEkonominë e Maqedonisë me qëllim të mbulimit të humbjeve që u bë në disbanlansin në sistemin energjetik dhe për blerjen e qymyrit. Nga Ministria e Financave kanë siguruar deri tani 100 milionë euro për të mbuluar shpenzimet e kompanive energjetike vendore. Njëherësh mbi 35 mijë qytetarë do të fitojnë ndihmë prej më shumë se 1000 denarë për të paguar faturat e rrymës për disa muajt e dimrit, ndërsa po punohet që të përfshihen edhe më shumë qytetarë përmes programit për zbutjen e varfërisë energjetike. Gjithashtu, sivjet është ulur edhe TVSH e rrymës nga 18 në 5 për qind për qytetarët për të zbutur rritjen eventuale të çmimit të energjisë elektrike. (koha.mk)